E’themi te Zaglebie

Futboll

E’themi te Zaglebie

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 14:32
E’themi te Zaglebie

Valon Et’hemi do të nisë etapën e re në karrierën e tij. 22-vjeçari është një lojtar i Zaglebie Lubin dhe nga sezoni i ri do të luajë në kampionatin polak të futbollit.

Anësori që i dha lamtumirën Kukësit pas 3 sezonesh ka nënshkruar me skuadrën e ligës kryesore në Poloni dhe do të jetë shumë shpejt nën urdhërat e trajnerit Martin Sevela. Supersport ka mësuar se akordi është mbyllur dhe firmat janë hedhur mbi kontratën e cila përcakton një afat-kohor dy-vjeçar me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.

Djaloshi nga Pallatica erdhi tek Kukësi si një i panjohur por me motivim e etje për të ecur përpara mbërriti deri aty sa në disa ndeshje mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit, teksa fitoi edhe Kupën e Shqipërisë në 2019-ën. Sezoni i sapombyllur ishte më i miri në karrierën e tij me 6 gola të shënuar në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë.

Ndërkohë skuadra nga qyteti i Lubinit e mbylli në vendin e 11-të edicionin e fundit , teksa në histori ka koleksionuar dy tituj kampion në  vitin 1990 dhe në 2007-ën. Në sezonin 2016-2017 të Europa Leagues Zaglebie Lubin mbërriti deri në raundin e tretë kualifikues ku u eliminua përballë danezëve të Sonderjyske.

Një aventurë e re dhe emocionuese për Et’hemin që nëpërmjet ligës së Polonisë synon dhe fanellën kuqezi të përfaqësueses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat