Llapi shquhet si klubi që ka dhënë talentët më të mëdhenj në Kosovë, ja emrat 

Futboll

Llapi shquhet si klubi që ka dhënë talentët më të mëdhenj në Kosovë, ja emrat 

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 18:08
KF Llapi i viteve të 70-ta

Llapi nga Podujeva si gjithmonë është vatër e talenteve të mëdhenj të futbollit. Nga kjo trevë kanë dalë emra të mëdhenj, që nga legjenda Fadil Vokrri, Selatin Vokrri, Esat Mehmeti, Favzi Rama, Shukri Paçarada etj.

“Topi i parë në Kosovë është sjell nga një student i Grenoblit më 1919, por thuhet se më 1914 futboll kanë luajtur Austro-Hungarezët që kanë shërbyer në Kosovë në atë kohë. Futbolli në Kosovë është luajtur shumë herët, por klubet e para janë formuar në vitin 1922 (KF Vëllaznimi) në Gjakovë dhe KF Prishtina në Prishtinë, KF Llapi 1932 në Podujevë dhe më pastaj edhe klubet e tjera. Garat nuk kanë qenë të rregullta për arsye të situatës jostabile që ka mbretëruar në atë kohë. Kjo periudhë fillon pas Luftës së dytë Botërore nga viti 1945 e deri më 1991.

Në këtë kohë futbolli në Jugosllavi përparon në mënyrë të shpejtë e bashkë me të edhe futbolli kosovar ku formohet edhe Federata e Futbollit të Kosovës më 1948, si degë e Federatës së Futbollit të Jugosllavisë.

Në Ligën e Parë jugosllave dallohen më së shumti KF Prishtina, kurse një vit anëtar i kësaj lige ishte edhe KF Trepça nga Mitrovica. Liga e Dytë shtetërore vazhdimisht kishte nga 3-4 klube kosovare. Në këto dy liga federative garonin Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Vojvodina, Kosova dhe Maqedonia, të gjitha në një ligë unike.

Kosova e kishte ligën e saj të parë, ku skuadra kampione kalonte direkt në Ligën e dytë jugosllave, pastaj kishte Ligën e dytë dhe të tretë. Kosova në këtë kohë kishte reprezentues, referë federativë dhe punëtorë të shumtë të nivelit më të lartë. KF Llapi garonte në Ligën e Parë të Kosovës dhe shquhet si klubi që ka dhënë talentët më të mëdhenj në Kosovë, ndër ta ishin: Favzi Rama, Fadil Vokrri, Esat Mehmeti, Shukri Paqarada, Ejup Bekteshi, Shaban Hajrullahu, Shaban Hajdari, Idriz Mehmeti, Jakup Mehmeti, Islam Visoka, Bastri Muçolli, Selatin Vokrri, Muhamet Vokrri, Luan Salihu, Rifat Hajdari, Miftar Ajvazi, Naser Hyseni, Isa Blakqori, Naser Ibrahimi, Isak Ibrahimi, Ismet Haliti, Fadil Kodraliu, Avni Stublla, Hetem Musa, Nexhat Dumnica, Fehmi Podvorica-Rista, Kujtim Aliu, Afrim Ajeti, Bejtush Bejta, Fatmir Berisha dhe shumë të tjerë të cilët më detajisht do të shkruhen në monografinë kushtuar KF Llapit.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 dhe vdiq më 9 qershor të vitit 2018. Ai lindi në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar dhe ishte pjesë e juniorëve të KF Llapit, kurse si 17 vjeçar debutoi në ekipin e parë të KF Llapi në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF Prishtina, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992.

Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës. Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së.

Ai është i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëron edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. Familja e tij përbëhet nga bashkëshortja Edita dhe tre fëmijët, djemtë Gramozin e Albertin dhe vajzën Albanën.

Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak. Është varrosur me ceremoni të larta shtetërore në varrezat e Prishtinës në Arbëri më 10 qershor 2018.

KF Llapi me qëllim të organizimit më të mirë në vitin 2013 me inicim të Komunës së Podujevës udhëhequr nga kryetari Agim VELIU mbajti kuvendin zgjedhor me bordin drejtues i cili përkrahi projektin afatgjatë të prezantuar nga Nexhat Dumnica si President i cili drejtonte KF Llapin edhe në të kaluarën e viteve të 90-ta dhe Tahir Batatina si shef i shtabit teknik. Kështu filloi misionin drejt Superligës, me ambicie dhe organizim të qartë. Në mbledhjen e parë drejtuar fondit të futbollistëve, Presidenti Nexhat Dumnica dhe drejtori sportiv Muhamet HASANI u paraqitën atyre planin e një Llapi të ‘ringjallur’ financiarisht dhe me objektiva të reja.

Sezoni i parë, Llapi në pozitën e 4-të. Tahir Batatina ndryshe si motivatori më i madh në futbollin tonë, pretendonte Superligën, por që 90 minuta e ndajtën, kur Llapi humbi në ndeshjen e barazhit ndaj Trepçës. Ishte vështirë që të niste përsëri nga zeroja, jo nga organizimi por nga motivimi për futbollistët, sepse ishte e qartë se një skuadër si Llapi nuk e meritonte vendin në Ligën e Parë.
Edicioni i dytë, sezoni vjeshtor, Llapi kampion dhe me synime ende për Superligë, por tani jo me barazh por direkt nga pozita e parë. Këtë edhe e arriti, në ndeshjen e fundit si vendas ndaj Kosovës së Prishtinës, Llapi triumfoi 5:1 dhe ngriti trofeun e kampionit të Ligës së Parë në qiellin e Podujevës. Festë gjithandej, lotë gëzimi kishte ato momente!


Viti 2015, Llapi pjesë e Superligës dhe gjithnjë me pretendime për pozitë sa më të lartë në tabelë, ku në sezonin vjeshtor, Llapi u shpall nënkampion vjeshtor. Sezoni pranveror, jo edhe aq i suksesshëm, me disa rezultate dëshpëruese që na vurën në vendin e 6-të në tabelë.

Llapi pretendonte trofeun përmes Kupës, por edhe nga ajo u eliminua në gjysmëfinale nga Prishtina.
Viti 2016, Llapi po bënte përvojë në Superligë, sepse tashmë kishte filluar të bëhej ‘arrë e fortë’ për çdo kundërshtarë. Në sezonin vjeshtor, Llapi prapë nënkampion vjeshtor, ndërsa tani në TOP 4 të Vala Superligës. Kthimi i Llapit në ‘Zahir Pajaziti’, ishte muri i çdo kundërshtari që deri më tani, u kthye pa fitore. Llapi suksesshëm në Digitalb Kupë, në finale ndaj Besës dhe më afër Evropës si asnjë herë më parë, duke marrë parasysh licencimin e Llapit për gara në UEFA”, shkruan në historikun e KF Llapit. Llapjanët sot janë anëtar të elitës së futbollit të Kosovës dhe me ambicie të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat