Paketa e ndryshimeve ligjore

Futboll

Paketa e ndryshimeve ligjore

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 21:06
Paketa e ndryshimeve ligjore

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Liga Profesioniste e Futbollit organizuan sot një takim me drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore. Të pranishëm ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kryetari i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, presidentë dhe drejtues të 9 klubeve të Superiores.

Gjatë mbledhjes u diskutua për problematikat e ndryshme të garës në kushtet e pandemisë, por veçanërisht për ndryshimet e fundit ligjore për sportin të miratuara së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas diskutimeve që zgjatën për disa orë mes drejtuesve të klubeve, Liga Profesioniste e Futbollit doli me një vendim për të bojkotuar kampionatin nga 12 shtatori e në vazhdim për shkak se ndryshimet ligjore të miratuara nuk i japin zgjidhje kërkesave të klubeve të Kategorisë Superiore dhe nuk përmbushin asnjë premtim të bërë nga qeveria.

Në këtë kuadër, Liga kërkon miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas propozimeve nga komuniteti i futbollit si edhe përfshirjen e aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%.
Më poshtë edhe vendimi i plotë i Ligës, që u firmos nga të gjithë drejtuesit e klubeve të cilët ishin të pranishëm në këtë mbledhje.

Vendimi i Ligës Profesioniste të Futbollit

Liga Profesioniste e Futbollit, pasi u njoh me ndryshimet ligjore për sportin të realizuara deri më tani, konstaton me keqardhje se këto ndryshime nuk i japin zgjidhje kërkesave të klubeve te Kategorisë Superiore dhe nuk përmbushin premtimet e bëra nga Qeveria Shqiptare në tryezën e 11 marsit 2019.

Në këto kushte, Liga Profesioniste e Futbollit kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë:
1. Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit.
2. Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
3. Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
4. Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.
Për sa më sipër, LPF vendosi, të bojkotojë Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore nga data 12 shtator e në vijim, deri në plotësimin e kërkesave te mësipërme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat