Bartomeu i cakton “afatin e skadencës” Messit, prenoton rinovimin me Ter Stegen

Futboll

Bartomeu i cakton “afatin e skadencës” Messit, prenoton rinovimin me Ter Stegen

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 11:13
Josep Maria Bartomeu

Lionel Messi do të dalë në pension te Barcelona, do të luajë aty edhe tri ose katër vite. Kjo është garancia që jep presidenti i klubit katalanas, Josep Maria Bartomeu. Gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” ka një kontratë në “Camp Nou” deri në fund të sezonit 2020-2021, por Bartomeu tha muajin e kaluar se pret që superylli të nënshkruajë një zgjatje të saj. 33-vjeçari është lidhur me një rikthim në klubin e fëmijërisë, Newell’s Old Boys, përpara se “t’i varë këpucët në gozhë”.

Sidoqoftë, Bartomeu nuk ka dyshim se golashënuesi kryesor i të gjitha kohërave të Barçës do t’i japë fund karrierës së tij me gjigandët katalanas, gjë që nuk mund të ndodhë deri në vitin 2023. “Nuk jam vetëm unë, që e them këtë gjë. Messi e thotë vetë se dëshiron ta përfundojë karrierën e tij profesionale te Barcelona. Ky është klubi i vetëm për të, – tha Bartomeu për “BeIN SPORTS”. – Nuk kam asnjë dyshim se deri kur ta përfundojë karrierën e tij si futbollist, edhe tri ose katër vite, Leo do të jetë këtu, te Barcelona.

Messi e ka shumë të qartë. Ai ka qenë këtu që fëmijë, i dashuron këto ngjyra dhe është pjesë e historisë së klubit. Ai është lojtari më i mirë në botë, jo vetëm tani për tani, por në krejt historinë e kësaj loje. Është mirë te Barcelona dhe e ka bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë këtu”.

Një tjetër përparësi për Bartomeu është rinovimi me portierin Marc-Andre ter Stegen, pasi nga marrëveshja e tij ekzistuese ka mbetur vetëm dy vite: “Marc është një lojtar dhe person i shkëlqyeshëm, gjithmonë e ka treguar veten si portier. Me situatën aktuale të Covid-19, Ter Stegen kërkoi që gjithçka të jetë më e qetë për të folur në lidhje me të ardhmen. Në fakt, e ardhmja e tij është rinovimi me Barçën. Ne duam ta kemi portier edhe për shumë vite, sepse ai është i ri. Kur gjithçka të qetësohet, ne do të flasim me Marc për të përfunduar rinovimin e tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat