Varane tregon se si do ta përballojë Real Madridi mungesën e Ramosit

Futboll

Varane tregon se si do ta përballojë Real Madridi mungesën e Ramosit

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 09:08
Raphael Varane

Raphael Varane ka thënë se Real Madridit i duhen liderë të rinj në fushën e lojës për përballjen e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt, shkaku i mungesës së kapitenit Sergio Ramos.

Manchester City e ka epërsinë 2:1 nga ndeshja e parë, e zhvilluar në Santiago Bernabeu, dhe do të tentojë mbajë atë epërsi sonte kundër Real Madridit, në mënyrë që ta bëjë edhe një hap drejt titullit të parë të Ligës së Kampionëve në histori.

Ndërsa, Real Madridi vjen në këtë duel pas triumfit në garën për titullin e La Ligës dhe është i motivuar që ta përmbysë rezultatin për ta përmirësuar edhe më shumë rekordin mbresëlënës në sezonet e fundit të Ligës së Kampionëve.

Më i rrezikshmi te skuadra e Manchester Cityt vlerësohet Gabriel Jesus, i cili ka shënuar në pjesët e para të katër nga gjashtë ndeshjet e fundit të skuadrës së Pep Guardiolës. Ndërsa, Real Madridi do të duhet të mbrohet pa Sergio Ramosin, i cili ishte ndëshkuar me të kuq në Santiago Bernabeu në shkurt.

“Mendoj se Sergio është një lojtar i rëndësishëm për ne, por ne e dimë se jemi një grup ku të gjithë i kemi rolet tona”, ka thënë Varane, që është mësuar ta ketë Ramosin partner në qendërmbrojtje.

“Për shembull, unë gjithmonë u ndihmoj bashkëlojtarëve të mi, kjo është mënyra ime e të luajturit dhe më pëlqen t’i mbuloj të tjerët. Në zhveshtore, unë flas shumë me bashkëlojtarët e mi për taktika, kjo s’do të ndryshojë kurrë”.

“Për ta fituar Ligën e Kampionëve, ne duhet të jemi një grup i fortë me shumë liderë. Ne e dimë rëndësinë e Sergios, por të gjithë duhet të luajmë mrekullueshëm për t’u kualifikuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat