Leeds gati të paguajë 20 milion euro

Futboll

Leeds gati të paguajë 20 milion euro

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 11:45
Harry Wilson

Leeds United siguroi të drejtën për të garuar sërish në Premier League pas 16 vitesh në ligat e ulëta të futbollit anglez dhe po përgatitet për të bërë një përfaqësim sa më dinjitoz në kampionatin elitar.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit, në bashkëpunim me trajnerin argjentinas Marcelo Bielsa kanë nisur punën për të përforcuar skuadrën në merkato dhe një nga emrat që kanë piketuar është ai i uellsianit Harry Wilson.

Futbollisti 23-vjeçar është në pronësi të Liverpoolit, por sezonin e fundit ka luajtur në huazim te Bournemouth, ndërsa për kartonin e tij skuadra nga “Anfield Road” kërkon të arkëtojë të paktën 20 milionë euro.

Wilson hyri në historinë e futbollit uellsian, pasi u bë futbollisti më i ri që luajti me përfaqësuesen, sepse ishte vetëm 16 vjeç e 207 ditë kur bëri debutimin dhe theu rekordin që mbahej më herët nga Gareth Bale.

Sezonin e fundit me Bournemouth, mesfushori anësor e nisi mjaft mirë dhe arriti të shënojë 7 gola deri në fund të nëntorit, por më pas rënia e formës së skuadrës, u reflektua edhe te Wilson, që deri në fund të sezonit shënoi vetëm një gol tjetër dhe e mbylli në kuotën e 8 golave në total.

Gjithsesi Marcelo Bielsa beson shumë se mund të arrijë të shndërrojë 23-vjeçarin uellsian në një futbollist mjaft të rëndësishëm për formacionin e Leedsit, ndaj u ka kërkuar drejtuesve që të paguajnë 20 milionë eurot e kërkuara për kartonin e tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat