Leonardo nis negociatat me Mendes

Futboll

Leonardo nis negociatat me Mendes

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 14:46
Leonardo nis negociatat me Mendes

Erdhi te Juventusi për ta ndihmuar të fitojë Ligën e Kampionëve, por pavarësisht se vetë ka bërë goxha mirë në fushën e lojës, Cristiano Ronaldo nuk ka pasur mbështetjen e bardhezinjve dhe nuk ia ka dalë t’i udhëheqë drejt ngritjes lart të trofeut “me veshë të mëdhenj”.

Portugezi nuk e ka fshehur zhgënjimin në përfundim të ndeshjes me Lyonin, ku shënoi dy herë në fitoren 2-1, që gjithsesi nuk mjaftoi për të çuar bardhezinjtë në çerekfinale, ndërsa tani Ronaldo është nisur me pushime, por paralajmëroi se do të marrë vendimet e duhura për të ardhmen.

Ndërkohë sot mediat franceze kanë raportuar për kontakte mes drejtuesit të Paris Saint Germain, Leonardo dhe menaxherit të portugezit, Jorge Mendes, të cilët kanë folur paraprakisht për transferimin e CR7-ës në “Parkun e Princave”.

Bëhet fjalë vetëm për një sondazh paraprak, ndërsa vlen të theksohet se të dy kanë vendosur që të diskutojnë më gjatë në Lisbonë, ku Leonardo do të shoqërojë skuadrën franceze për ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

Francezëve nuk u mungojnë paratë për të afruar portugezin, që përveçse një vlerë e shtuar në fushën e lojës, do të ishte një “magnet” edhe për sponsorët nga vende të ndryshme të botës, megjithatë mbetet për t’u parë edhe dëshira e vetë Ronaldos.

Ky i fundit u kishte vënë kusht drejtuesve që të largojnë Sarrin dhe ata ia plotësuan dëshirën, duke pushuar nga puna trajnerin menjëherë pas ndeshjes me Lyonin, ndaj pritet me mjaft interes se çfarë vendimi do të marrë portugezi tani.

Kujtojmë që Ronaldo u transferua në Torino dy vite më parë për një shifër prej rreth 100 milionë eurosh dhe ka nënshkruar për 4 sezone me Juventusin, me kontratën që skadon vetëm në verën e 2022-shit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat