Sot zbulohet gjysmëfinalisti i parë i Ligës së Kampionëve: PSG-ja apo Atalanta

Futboll

Sot zbulohet gjysmëfinalisti i parë i Ligës së Kampionëve: PSG-ja apo Atalanta

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 08:28
Foto ilustrim

Atalanta dhe Paris Saint-Germaini e kishin siguruar vendin në çerekfinale qysh para ndërprerjes së sezonit shkaku i përhapjes së koronavirusit, kështu që garën në Ligën e Kampionëve do ta rinisin me ndeshjen e sotshme, të parën në kuadër të çerekfinaleve.

Ashtu siç do të zhvillohen të gjitha ndeshjet nga faza çerekfinale, edhe Atalanta me Paris Saint-Germainin do ta zhvillojnë çerekfinalen e sotshme në Lisbonë në orën 21:00, ku për dallim nga sezonet e tjera nuk do të ketë ndeshje kthyese.

Atalanta vjen në këtë përballje pas katër fitoreve radhazi në Ligën e Kampionëve, tri prej të cilave erdhën në ndeshje me plot gola. Gjatë këtyre fitoreve, Atalanta i shënoi mesatarisht dy gola gjatë pjesëve të dyta.

Pasi që Serie A e rinisi sezonin, ndërsa Paris-Saint Germaini ishte shpallur kampion atëherë kur u ndërpre sezoni dhe nuk rinisi më në Ligue 1, Atalanta e ka epërsinë në përgatitje fizike të lojtarëve.

Megjithatë, Paris Saint-Germaini i ka fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve dhe do të tentojë që këtë herë ta dëshmojë se investimet e bëra në skuadër ia kanë vlejtur, duke shkuar tutje në garën më prestigjioze të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat