Napoli është në kërkim të një mbrojtësi të majtë që të ofrojë garanci dhe emri që Gattuso ka vënë në krye të listës së kërkesave është ai i spanjollit 23-vjeçar Sergio Reguilon, i cili këtë sezon po bën mjaft mirë me fanellën e Sevillas.
I rritur te Reali i Madridit, Reguilon mori vendin e titullarit te Los Blancos gjatë kohës që në pankinë ishte trajneri Julen Lopetegui, por me largimin e tij dhe rikthimin e Zidane, mbeti sërish në hijen e brazilianit Marcelo.
Këtë sezon Reali e huazoi futbollistin e talentuar te Sevilla, ku trajner është sërish Julen Lopetegui, ndërsa deri tani Reguilon ka luajtur 35 ndeshje dhe ka shënuar edhe 3 gola, duke bërë performanca vërtetë bindëse.
Reali është gati të marrë në konsideratë ofertat në drejtim të Reguilon dhe synon që të arkëtojë të paktën 30 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa oferta e Napolit nuk shkon përtej 25 milionë eurove.
Gjithsesi madrilenët janë të gatshëm të pranojnë uljen e çmimit, me kushtin që të jenë të avantazhuar për të marrë shërbimet e mesfushorit Fabian Ruiz, nëse Napoli vendos ta shesë në të ardhmen.