Trajneri i Leipzigut zbulon zënkën me Simeonen

Futboll

Trajneri i Leipzigut zbulon zënkën me Simeonen

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 09:08
Julian Nagelsmann

Trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann, ka zbuluar se ai e pati një zënkë me trajnerin e Atletico Madridit, Diego Simeonen, pas pjesës së parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve mes dy klubeve.

Leipzigu e tronditi Atletico Madridin me fitore me rezultat 2:1 në Lisbonë të enjten, falë një goli të të devijuar, të shënuar nga Tyler Adams afër fundit të ndeshjes, që e kaloi klubin gjerman në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Gjermanët kishin kaluar fillimisht në epërsi falë një goli të shënuar nga Dani Olmo, ndërsa Joao Felix e kishte barazuar rezultatin për Atleticon nga pike e penalltisë. E përderisa Atletico s’arrinte të gjente hapësira në mbrojtjen e Leipzigut, këta të fundit s’e patën të vështirë ta bënin një gjë të tillë.

Si rezultat i kësaj fitoreje, Leipzigu kaloi për herë të parë në histori të vet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi klubi u themelua vetëm para 11 vjetëve.

Pas ndeshjes Simeone e uroi Leipzigun për fitore duke thënë se gjermanët e merituan kualifikimin në gjysmëfinalen kundër Paris Saint-Germainit. Por, Nagelsmann ka zbuluar se e njëjta gjë nuk kishte ndodhur pas pjesës së parë.

“Simeone ma uroi fitoren pas ndeshjes, ishte urim shumë i sinqertë. Ai tha se ishte një ndeshje e mrekullueshme dhe se ne e merituam fitoren”, ka thënë Nagelsmann.

“Pas pjesës së parë, ne e patëm një zënkë të vogël, por nuk ishte shumë serioze. Ai është thjesht një fitues i mrekullueshëm që dëshiron të fitojë edhe në udhëtimin drejt zhveshtoreve”.

“Por, kjo s’është diçka e keqe. Në fakt, unë dua ta theksoj se një personalitet i tillë për një trajner është një e mrekullueshme. Kështu që, gjithçka është në rregull”. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat