Flamurtari sërish i Idrizit - Bota Sot
Flamurtari sërish i Idrizit

Futboll

Flamurtari sërish i Idrizit

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 13:34
Flamurtari sërish i Idrizit

Flamurtari i Vlorës ra pa kushte nga Superiorja duke mbyllur një sezon skandaloz, ndërsa administratori Sinan Idrizi ka zgjatur marrëveshjen dhe për një vit. Kërkesa e tij është pranuar nga Bashkia e Vlorës që Idrizi të jetë sërish në administrim të klubit kuqezi.

Këshilli bashkiak ka miratuar kërkesën e tij dhe pjesë e bordit të klubit janë Sinan Idrizi, Kreshnik Çipi, Robert Islamaj dhe Sokol Kushta. Administratori foli pas ripërtëritjes së marrëveshjes me kuqezinjtë. “Ekipi ka rënë nga kategoria për shkak të keqmenaxhimit tim, kjo është e padiskutueshme. Do e nis nga aty ku nuk duhet. Para 6 vitesh ishim këtu dhe kishim një stadium që nuk kishte banjo, sot jemi i vetmi qytet që nuk kemi fusha ku të luajnë fëmijët.

“Edhe një fushë që e ka bërë Federata, nuk ka banjo. Fieri ka 6, Durrësi ka 8, Librazhdi ka dy, Ballshi ka bërë tre. Ne nuk kemi asnjë. Nëse ju keni 6 vite që nuk hidhni më lek për klubin e Flamurtarin, nga ana tjetër ju nuk keni çfarë tregoni, një investim të bërë në objekte në 12 apo 30 vite. Që nga stadiumi, nga pallati i sportit, që janë që nga sistemi i kaluar. Keni harxhuar para për futbollistë që ikin e vijnë.

“Qyteti nuk ka asgjë, nuk kemi çfarë të tregojmë. Nëse duam të marrim kupa e të blejmë ndeshje, hajde t’i blejmë. Por nuk blej ndeshje. Unë bie si burrat në fushë, zvarranik nuk bëhem. Ka gjashtë vite që them hajde ndërtojmë Vlora Sport. Për ta bërë duhet që t’ia dalim pa marrë paratë e shtetit. Nuk kanë pse paguhen lekë për paga lojtarësh. Gjashtë vite më parë u miratuan 1.2 miliard lekë për paga lojtarësh. Unë e rrëzova ekipin, por nuk i vodha qytetit 1 milion dollarë.

“Kam 6 vite që them që dua të investoj. Te Pylli i Sodës që është zonë amortizuar, dua të ndërtoj akademinë, dua të më ndihmoni. Nuk dua asnjë lek. Le të bëjmë dy fusha, të bëjmë banjo. Ejani e shikoni si djersijnë lojtarët. Ne nuk kemi banjo e do flasim për futboll.  Për Flamurtarin nuk ka ligj për të investuar, kurse kioskat bëhen nga fillimi në fund. Për ne është zonë e mbrojtur, për të tjerë jo. Ose të jetë e bashkisë, ose të jetë e privatit. Nuk vazhdohet me edhe e këtij, edhe e atij”, – tha Idrizi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat