Kur mund të fillojë ndërtimi i stadiumit nacional të Kosovës?

Futboll

Kur mund të fillojë ndërtimi i stadiumit nacional të Kosovës?

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 15:59
Kur mund të fillojë ndërtimi i stadiumit nacional të Kosovës?

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka ngritur edhe disa pyetje për stadiumin nacional të Kosovës, pyetje këto që iu është përgjigjur ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi.

Duke parë kërkesat e mëdha të qytetarëve për të parë nga afër ndeshjet e kombëtares së Kosovës, deputeti Haxhiu ishte i interesuar të dihet se kur do të fillojë ndërtimi i këtij stadiumi dhe arsyen se pse është zvogëluar buxheti për ndërtimin e këtij stadiumi.

“Në ligjin për buxhetin 2019 ishte planifikuar edhe buxheti për stadiumin nacional të Kosovës në total për tri vite 25.722.572 euro. Ndërsa me ligjin për buxhetin 2020 janë ndarë vetëm 3.491.241 euro, deri më tani janë shfrytëzuar deri në 1 milion e gjysmë euro për stadiumin e fizibiletit dhe projektin për stadiumin nacional që pritet të ndërtohet në Korreticë në magjistralen Prishtinë-Pejë. E nderuar ministre pasi MKRS ka përfunduar studimin e filizibitetit dhe është përfunduar projekti për stadiumin nacional përse MKRS nuk po fillon procedurat për ndërtimin e stadiumit nacional, përse është zvogëluar shuma nën tre milionë e gjysmë euro, dhe a mund të ndërtohet stadiumi prej 30 mijë ulëseve me 3 milionë e gjysmë euro”, deklaroi Haxhiu.

Ndërsa, ministrja Dumoshi u përgjigj se shumë shpejt do të ndërmarë veprime për sigurimin e buxhetit të plotë për këtë stadium, dhe do të kërkojë nga UEFA e FIFA, rekomandimet rreth ndërtimit të këtij stadiumi.

“MKRS do të ndërmerr veprimet për sigurimin e buxhetit pas përfundimit të vlerësimit nga komisioni që fizibiletin në konceptin e projektit e përmbush rekomandimet e dalura si rezultati fizibilitetit. Pra për shkak që bëhet fjalë për produktin përfundimtar do të analizojmë dhe do ta rishikojmë me kujdes projektin dhe gjatë kësaj periudhe do të kërkojmë nga UEFA dhe FIFA sugjerimet ose rekomandimet për porosinë kryesore që këto dy organizata ndërkombëtare të futbollit të jenë gjithashtu pjesë e investimit”, tha Dumoshi.

Dumoshi gjithashtu bëri të ditur se me përfundimin e procedurave gjyqësore me kompaninë që ka hartuar projektin e stadiumin nacional, do të nis edhe ndërtimi i këtij stadiumi.

“Ne jemi edhe me një procedurë gjyqësore me kompaninë e cila e ka hartuar këtë projekt dhe jemi duke e pritur pjesën përfundimtare. Kur të sqarohen pjesët ligjore ne sigurisht që jemi të interesuar që ta kemi këtë stadium kombëtar”, deklaroi Dumoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat