Rritet interesi për futbollin e femrave

Futboll

Rritet interesi për futbollin e femrave

Më: 15 gusht 2020 Në ora: 14:09
Rritet interesi për futbollin e femrave

Zyra Rajonale e FSHF-së në Fier ka ulur edhe për këtë edicion siparin në kampionatin rajonal amator. Në total, kjo zonë numëron 140 ekipe dhe vetëm këtë vit janë shtuar edhe 7 ekipe të reja femrash.

Ky sezon, sipas përgjegjësit të kësaj zyre, Maksim Tegu, ishte i veçantë për shkak të situatës së pazakontë të krijuar nga pandemia si dhe nga tërmeti që preku vendin.

Në një intervistë të dhënë për fshf.org, Tegu tregon risitë e edicionit 2019-2020, problematikat, ku më kryesori mbetet ai i mungesës së infrastrukturës cilësore si dhe synimet për sezonin e ardhshëm.

– Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal amator të Zonës Rajonale Fier?

– Ky edicion ishte disi i veçantë, kjo duke pasur edhe parasysh edhe kushtet në të cilat u zhvillua. Së pari tërmeti që goditi vendin dhe pandemia e COVID-19, e cila vazhdon të jetë ende mes nesh. Megjithatë, risi e këtij sezoni ishte kampionati rajonal i femrave për moshën U-13 dhe U-15. Mbyllja me sukses e kampionatit rajonal te moshave.

Organizimi i turneve në bashkëpunim me klubet për figura të shquara në futboll si Kupa “Sotiraq Tegu”, mosha U-11, Fier; Kupa “Cano Ameti”, mosha U-13, Vlorë; Turneu tradicional “Kujtim Majaci”, mosha U-13, Fier; Kupa “Fatmir Goxhaj”, mosha U-17, Patos; Kupa “Përparim Kovaçi”, mosha U-15, Berat; Kupa “Vangjel Capo”, mosha U-15 femra, Fier.

Kampionati kombëtar i shkollave 9-vjeçare “Kupa Cappy” për djem e vajza në bashkëpunim me kompaninë Coca Cola, edicioni i gjashtë.

– A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?

– E vështirë për t’u pranuar, duke pasur parasysh edhe interesimin e madh që kanë shqiptarët për futbollin, por kemi një mungesë të theksuar infrastrukture cilësore. Vetëm në zonën rajonale të Fierit, kemi 140 ekipe, duke filluar nga mosha 7 vjeç e deri në moshën 17 vjeç. Fëmijët kanë nevojë për fusha të reja, për të pasur jo vetëm sasi në të ardhmen, por edhe cilësi. Fushat janë të parrethuara, nuk ka pankina, nuk ka dhoma zhveshjeje, etj. Nga ana tjetër, kemi pasur fëmijë që e kanë pasur të vështirë të vijnë në stërvitje për shkak se nuk kishin mundësi të udhëtonin për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 si dhe merakun e shqetësimin e prindërve nga infektimi.

– Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?

– Personalisht, si përgjegjës i kësaj zyre jam shumë i kënaqur me këtë vit, edhe pse në thelb, ishte i pazakontë. Duke qenë se është edhe një nga prioritetet e FSHF-së, unë do ta vija theksin në rritjen e numrit të ekipeve të femrave. Vitin e shkuar patëm vetëm 5 ekipe femrash, në të gjithë Zyrën Rajonale të Fierit, këtë vit kemi 7 më shumë, pra në total 12 ekipe me rreth 170 futbolliste. Sa i përket numrit të futbollistëve dhe ekipeve, në total, e gjithë Zyra Rajonale e Fierit numëron 140 ekipe aktive (që marin pjesë në kampionatin rajonal) me rrethë 2000 futbollistë.

– Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?

– Prioritetet e FSHF-së (futboolli i femrave, futbolli 5×5) dhe projektet për këtë qëllim të cilat do aplikohen në këtë sezon, janë faktorë pozitiv për rritjen e numrit të ekipeve e të rinjve e të rejave që do ushtrojnë futbollin në të gjitha moshat e dy gjinitë.

Evidentimi i futbollistëve të talentuar dhe përfshirja e tyre në ekipet përfaqësuese rajonale e ato kombëtare.

Ndryshimi i mentalitetit të trajnerëve, zyrtarëve të ndeshjes për një garë të ndershme e “Fair-play”, duke luftuar ndjenjën e kampionatizmit.

Rritja e përgjegjësisë së trajnerëve për rolin e detyrën, që ata duhet të kenë në edukimin e trajnimin e femijëve, për të respektuar gjithë detyrimet që rrjedhin nga pjesëmarrja serioze në aktivitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat