Reprezentuesi i Kosovës në Serie A

Futboll

Reprezentuesi i Kosovës në Serie A

Më: 15 gusht 2020 Në ora: 14:21
Reprezentuesi i Kosovës në Serie A

Mërgim Vojvoda së shpejti pritet ta bëjë hapin e madh në karrierën e tij.

Mbrojtësi i Kosovës prej vitesh luan në Belgjikë me skuadrat si Royal Mosceron dhe së fundmi Standard Liege.

Shumë skuadra italiane kanë shprehur interesim për Vojvodën, përfshirë Lazion, Fiorentinën, Torinon e Genoan, por gara është fituar nga çerekfinalisti i Ligës së Kampionëve, Atalanta.

Bergamaskët kanë arritur marrëveshje me agjentin e lojtarit dhe kanë marrë përgjigje pozitive, ku e shohin Vojvodën si zëvendësues të belgut Timo Castagne i cili pritet të largohet.

Sipas asaj që ka raportuar mediumi belg dhnet.be, Vojvoda ka pranuar kushtet personale të Atalantës.

Dy klubet Standard dhe Atalanta po diskutojnë për çmimin e lojtarit, pasi oferta e parë e bergamaskëve është katër milionë euro.

Nga ana tjetër Standard synon të fitojë gjashtë milionë euro nga shitja e Vojvodës, pasi 20% e shumës së transferimit do t’i shkojnë ish klubit të kosovarit, Royal Mouscoron.

Gjatë javës së ardhshme pritet të ketë diskutime të reja mes dy klubeve për të arritur një gjuhë të përbashkët për transferimin e Vojvodës në Serie A.

25-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje në të gjitha garat ku ka shënuar një gol dhe ka bërë katër asistime.

Vojvoda është edhe reprezentues i rregullt i Përfaqësueses së Kosovës, ku me Dardanët ka 22 paraqitje dhe një gol të realizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat