Korça premton fëmijë dhe të rinj të talentuar për të ardhmen e futbollit shqiptar

Futboll

Korça premton fëmijë dhe të rinj të talentuar për të ardhmen e futbollit shqiptar

Më: 23 gusht 2020 Në ora: 14:17
Korça premton fëmijë dhe të rinj të talentuar për të ardhmen e futbollit shqiptar

Zyra Rajonale e FSHF-së Korçë ka bërë bilancin për edicionin që sapo lamë pas. Pavarësisht edicionit të vështirë për shkak edhe të pandemisë, përgjegjësi i zyrës Renato Rrapo, në intervistën e dhënë për fshf.org shprehet se ky rajon vijon të prodhojë talente të reja për të ardhmen e futbollit shqiptar. Numri i ekipeve ka qenë thuajse i njëjtë me atë të vitit të shkuar. Ndërkohë që për edicionin e ardhshëm, fokusi kryesor i kësaj zyre mbetet futbolli i femrave dhe rritja e numrit të ekipeve krahasuar me edicionin 2019/20.

– Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal amator të Zyrës Rajonale Korçë?

Ky edicion ishte disi i vështirë për shkak të pandemisë që preku edhe vendin tonë. Në pjesën e dytë të sezonit, nuk pati një rritje të numrit të fëmijëve. Megjithatë, përgjatë pjesës së parë të sezonit dhe pjesës së mbetur nga sezoni i dytë, ne jemi fokusuar te zbulimi i talenteve të reja dhe mund të them se rajoni i Korçës ka fëmijë dhe të rinj premtues për të të ardhmen e futbollit shqiptar.

– A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?

Për shkak të pandemisë patëm probleme me udhëtimet e ekipeve, pas rregullave strikte të vendosura nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu, një problem tjetër, i cili ka vite që ekziston dhe nuk lindi as këtë vit, as para dy viteve është infrastruktura. Mendoj se në disa qytete, pushteti vendor duhet të mirëmbajë dhe investojë te fushat në të cilat luajnë dhe stërviten ekipet e moshave të klubeve të tyre.

– Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?

Duhet theksuar fakti se qyteti i Korçës dhe i Pogradecit mbajnë peshën kryesore me numrin e ekipeve të qarkut në krahasim me qytetet e tjera të zonës (si Bilisht, Erseka, Maliqi etj). Këtë vit kemi pasur një numër konstant, nuk kemi pasur shtim apo ulje të ekipeve. E rëndësishme për ne është që kampionatin e mbyllëm në fushë dhe ekipet dolën fituese nga fusha. Për këtë sezon, në rajonin e Korçës, u shpallën kampionë grupmoshat: U-9, KF Pogradeci; U-11, KF Skënderbeu (A); U-13, KF Skënderbeu (C); U-15, KF Pogradeci (A).

– Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?

Kemi disa objektiva për këtë sezon në fakt. Si fillim do të mbështesim zhvillimin e futbollit të femrave dhe krijimin e sa më shumë ekipeve të tyre jo vetëm në kampionat por edhe në shkollat fillore. Nga ana tjetër, futbolli 5×5 do të jetë patjetër në objektivat tona, duke qenë se është edhe një ndër prioritetet kryesore të FSHF-së.

Gjithashtu, kemi si synim edhe krijimin e kampionatit për moshën U-7, i cili duhet të jetë i përhershëm, pra çdo sezon që ne të luajmë, të kemi ekip U-7; shtimin e numrit të ekipeve, si për vajza siç thashë më sipër, por edhe për djem; si dhe sa më shumë fëmijë që luajnë futboll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat