Prezantohet blerja më e shtrenjtë e Napolit: Jam gati t’i shënoj Juves

Futboll

Prezantohet blerja më e shtrenjtë e Napolit: Jam gati t’i shënoj Juves

Më: 26 gusht 2020 Në ora: 22:45
Victor Osimhen

Napoli pagoi 70 milionë euro për të marrë nga francezët e Lille sulmuesin e talentuar Victor Osimhen, i cili u bë futbollisti më i shtrenjtë në historinë e klubit, duke parakaluar meksikanin Hirving Lozano, për të cilin De Laurentiis shpenzoi 40 milionë euro.

Sulmuesi nigerian është vënë në dispozicion të trajnerit Gennaro Gattuso për të kryer fazën përgatitore për sezonin e ri, ndërsa sot ka bërë edhe prezantimin zyrtar, duke dalë në konferencën për shtyp nga qendra e grumbullimit të skuadrës.

“Mbërritja te Napoli është një ëndërr e bërë realitet për mua. Isha skeptik për Italinë, për shkak të racizmit, por Napoli nuk është kështu. Kam shëtitur nëpër qytet dhe mund të konfirmoj plotësisht të kundërtën”, deklaroi në fjalët e para Osimhen.

Më pas sulmuesi nigerian, i cili shkëlqeu me fanellën e Lille sezonin e kaluar, pranoi se një rol mjaft të rëndësishëm në transferimin te Napoli kanë luajtur trajneri Gattuso dhe presidenti De Laurentiis, të cilët u treguan bindës në bisedën më të.

“Kur fola me De Laurentiis dhe Gattuson, u binda menjëherë të vij te Napoli. Ata u sollën si prindër dhe më këshilluan shumë, ndaj nuk u mendova gjatë, Preferoj të luaj si sulmues i parë, por tani jam në dispozicion të trajnerit dhe do të luaj ku të dojë ai. Më pëlqen që gjithmonë t’i jap prioritet interesit të skuadrës”, deklaroi futbollisti.

Victor Osimhen nuk mund t’u shpëtonte pyetjeve as në lidhje me rivalitetin ndaj Juves, teksa pranoi se gjatë kësaj kohe ka marrë shumë mesazhe nga tifozët që konfirmojnë këtë gjë dhe premtoi se do t’u shënojë bardhezinjve.

“Gjatë kësaj kohe tifozët më kanë shkruar shumë dhe mua më pëlqen t’u përgjigjem të gjithëve, Kam kuptuar shumë për rivalitetin me Juven dhe jam gati të ndihmoj skuadrën të fitojë përballjen me ta, pse jo të shënoj edhe vetë”, tha futbollisti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat