Dybala në pritje të ofertës së Barcelonës

Futboll

Dybala në pritje të ofertës së Barcelonës

Më: 2 shtator 2020 Në ora: 14:14
Dybala në pritje të ofertës së Barcelonës

Juventus hesht për rinovimin e Paulo Dybalës dhe ende nuk ka thirrur menaxherët e këtij të fundit, për të diskutuar për kontratën e re, ndërsa në Itali kanë nisur të hamendësojnë se ylli argjentinas mund të lërë Torinon këtë vjeshtë.

Kjo pasi bashkëjetesa në të njëjtin formacion me Cristiano Ronaldon, ka treguar dy vitet e fundit se është e vështirë, pavarësisht vullnetit të palëve për t’u përshtatur dhe për më tepër, Dybala është i vetmi që mund të mbushë arkat e bardhezinjve, pasi ka oferta të shumta.

Një ndër to është ajo e Barcelonës, që është gati të kënaqë Juventusin me 80 milionë euro dhe të transferojë Dybalën në “Camp Nou” për të zëvendësuar një tjetër argjentinas, Lionel Messin, i cili prej disa ditësh ka dalë hapur dhe ka kërkuar largimin.

Dybala mbulon të njëjtën zonë të fushës si edhe Messi, ndërsa në Itali konfirmojnë se me miratimin edhe të trajnerit Koeman, Barcelona ka nisur kontaktet paraprake si me futbollistin, ashtu edhe me klubin e Juventusit.

Nga ana tjetër Pirlo ka mbetur i kënaqur me Dejan Kulusevskin dhe e sheh si idealin për të formuar treshen e sulmit me Cristiano Ronaldon dhe njërin mes Suarez, Dzeko apo Milik, të cilët janë tre objektivat e mëdhenj të bardhezinjve për sulmin.

Ish futbollisti i Parmës është shumë teknik dhe mbi të gjitha merr pjesë në të gjitha fazat e lojës, pasi vjen shpesh mbrapa për të ndihmuar skuadrën, gjë që Ronaldo e Dybala nuk e kanë shumë me qejf dhe për këtë ishte ankuar edhe Sarri.

Megjithatë vetë Dybala do të largohej nga Juventusi vetëm për t’iu bashkuar Barcelonës, ku do të ketë mundësi të marrë një rol lideri dhe për më tepër të luajë më mikun e tij Miralem Pjanic, ashtu si te bardhezinjtë deri në fund të këtij sezoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat