Klubi i Superiores me stadium të ri

Futboll

Klubi i Superiores me stadium të ri

Më: 5 shtator 2020 Në ora: 17:48
Klubi i Superiores me stadium të ri

Kastrioti nuk do që t’i lërë asgjë rastësisë, ndaj po bën gjithçka gati për sezonin 2020-2021. Pasi arritën marrëveshjen me stadiumin “Kamza”, kanë nisur prej kohësh punën për mirëmbajtjen e terrenit. Pas dore nuk kanë lënë as aspektin dekorativ, ndërsa kanë vendosur edhe banerat e sponsorëve të rinj.

Gjendja e tapetit është e mirë dhe krutanët po i japin dorën e fundit në mënyrë që ta kenë gati për startin e kampionatit të ri, gjithmonë nëse do të nisë më 12 shtator. Për Kastriotin ky do të jetë sezoni i tretë në “shtegtim”, pas dy sezoneve të mëparshme të zhvilluara në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës.

KARAKAÇI – I dëmtuar pak javë më parë, Abaz Karakaçi do t’i nënshtrohet sot operacionit në njërën nga klinikat private të kryeqytetit. Mesfushori ka këputur ligamentin e këmbës së djathtë dhe vetëm me ndërhyrje kirurgjikale mund të rikuperohet. Shkalla e dëmtimit është e rëndë dhe shkodrani me shumë gjasë do t’u rikthehet fushave vetëm në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

MIQËSORJA – Një tjetër miqësore kanë programuar të besuarit e Ramazan Ndreut. Pasi u ndeshën të mërkurën me Dinamon, sot do ta matin forcat me një kundërshtar me pretendime si Burreli, ndonëse një kategori më poshtë. Ka shumë të ngjarë që ky 90-minutësh të shërbejë edhe për të krijuar një ide për formacionin “tip” për kampionatin që është në prag.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat