Mbappe dhe Bale, Real Madridi merr dy lajme të mira

Futboll

Mbappe dhe Bale, Real Madridi merr dy lajme të mira

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 10:07
Kylian Mbappe

“Los Blancos” kryesojnë garën për të siguruar shërbimet e Kylian Mbappe. Ylli i futbollit francez ka njoftuar PSG se dëshiron të largohet verën e ardhshme. Spanjollja “AS” raporton se Real Madridi është në “pole” për ta bërë të vetin kampionin e botës më 2018. Kjo pritet të jetë dhurata e klubit madrilen për Zinedine Zidane dhe tifozët. Joshja nga fanella e bardhë ka qenë evidente për sulmuesin e shpejtë, sidomos potenciali i mbretërorëve madrilenë për të fituar Ligën e Kampionëve.

Sigurisht, edhe mundësitë financiare luajnë një rol determinues në këtë çështje, e vendosin Real Madridin në epërsi ndaj çdo rivali. Gjithashtu, mediat iberike zbulojnë sot se Gareth Bale dëshiron të largohet nga “Bernabeu”.

Manchester United duket se interesohet për uellsianin, i cili ka ndryshuar qëndrim për të ardhmen e tij dhe tani dëshiron të largohet nga Real Madridi, raporton “Cadena SER”. Pra, mes komoditetit të pagës së majme, qoftë edhe duke ngrohur stolin në kryeqytetin spanjoll, dhe të luajturit rregullisht, Bale duket se ka vendosur për këtë të fundit.

Fakti se verën e ardhshme do të luhet Kampionati Europian e shtyn yllin e Uellsit të shkojë në një ekip, ku të luajë rregullisht. Pastaj, Manchester United është një emër që e josh për shumëçka tjetër. Durimi i tij si zëvendësues nën drejtimin e Zinedine Zidane duket se ka sosur përfundimisht. “Djajtë e Kuq” e shikojnë atë si alternativë të Jadon Sancho të Borussia Dortmund, që financiarisht shihet i paarritshëm në kushtet e krizës financiare, shkaktuar nga pandemia e Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat