Quique Setien ndërmerr veprim juridik ndaj Barcelonës

Futboll

Quique Setien ndërmerr veprim juridik ndaj Barcelonës

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 22:42
Quique Setien

Barcelona njoftoi për shkarkimin e Quique Setien më 17 gusht, mirëpo nuk e ka informuar zyrtarisht trajnerin deri këtë të mërkurë (16 shtator).

Për këtë arsye, ish-trajneri i Blaugranëve ka vendosur që të ngrejë padi ndaj klubit katalunas. Ai e publikoi deklaratën në emër të të gjithë stafit të tij trajnues (Eder Sarabia, Jon Pascua e Fran Soto), ndërkohë që njoftoi se treshes së përmendur iu është thënë se do t’u jepen role të tjera në Camp Nou.

“Pas një muaji të heshtjes komplete nga bordi i Barcelonës dhe pas kërkesave të caktuara nga ne, nuk morëm asnjë njoftim zyrtar nga klubi deri dje (e mërkurë) dhe këtë e morëm përmes byrofaksit”.

“Ky njoftim tregon qëllim e pastër të bordit që të mos i plotësojë kontratat e punës të nënshkruara më 14 janar 2020”.

“Në rastin tim, klubi dhe presidenti e njoftuan shumë publikisht shkarkimin tim me efekt të menjëhershëm më 17 gusht. Megjithatë, ishte pikërisht dje – thuajse një muaj më pas më 16 shtator – që ata ma dërguan komunikimin zyrtar të shkarkimit – pa ndonjë marrëveshje”.

“Me respekt ndaj stafit tjetër trajnues, atyre u është thënë dje – për befasi – se do t’u bëhet një ‘rilokim i dukshëm’ në klub”.

“Duke i marrë parasysh të gjitha më sipër, menduam që zgjidhjen e kontratave tona ta lëmë në duart e avokatëve tanë, duke paraqitur veprimin përkatës juridik.

“Këtë e bëjmë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave tona dhe për të mbrojtur atë për të cilën jemi marrë vesh me Barcelonën në atë kohë”, është deklarata e Setien e transmetuar nga AS.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat