Verona me dedikim emocionues për Kumbullën: “Erdhe fëmijë, ike burrë”

Futboll

Verona me dedikim emocionues për Kumbullën: “Erdhe fëmijë, ike burrë”

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 09:35
Marash Kumbulla

Marash Kumbulla është prezantuar te Roma dhe ka gjasa të debutojë me skuadrën e re kundër së shkuarës së vet të afërt, Hellas Verona, në startin e Serie A.

Një lëvizje e madhe e 20-vjeçarit shkodran, që bëhet edhe transferimi më i shtrenjtë shqiptar në historinë e futbollit.

Emocionuese ka qenë edhe përshëndetja që i ka bërë klubi i deridjeshëm, ku shkoi 8 vjeç, fëmijë i panjohur i një muratori shqiptar, që kishte shkuar në Itali me gomone, duke rrezikuar jetën, dhe u largua dje si “mister 30 milionëshi”.

“Nga fëmijë, në burrë. Nga një lojtar me pritshmëri, në kampion. Fat të mbarë Marash! Do të jesh gjithmonë pjesë e familjes sonë”, – shkroi klubi i Verona në faqen e vet zyrtare.

Ndërkohë, gjatë prezantimit si lojtar verdhekuq, mbrojtësi i kombëtares kuqezi nënvizoi: “Kam një emocion të madh. Jam takuar me shokët e ekipit dhe më kanë mirëpritur. Të gjithë e kanë bërë këtë, që nga tifozët deri te klubi. Menjëherë po përshtatem në mënyrën e duhur dhe shpresoj të shkojë mire gjithçka Çfarë më bindi që të vija këtu? Klubi, trajneri, stafi, vlerat e ekipit dhe ngrohtësia e tifozëve. Të gjitha këto më bënë që të vija te Roma. Fola me trajnerin Paulo Fonseca, që kishte vlerësim shumë të mirë për mua. Menjëherë më shpjegoi sesi duhet të luaja dhe do të mësojë më mire. Kombëtarja e Shqipërisë më ka ftuar sërish, shpresoj që të vazhdojë kështu dhe të realizoj objektiva të rëndësishme edhe atje. Falënderoj tifozët e Romës për mikpritjen që më ofruan. Do të bëj më të mirën për të fituar dhe gëzuar me ta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat