Pas shkëlqimit të Dritës, Limani: Është e drejtë që të na vlerësojnë polakët dhe kushdo tjetër

Futboll

Pas shkëlqimit të Dritës, Limani: Është e drejtë që të na vlerësojnë polakët dhe kushdo tjetër

Nga: Kemajl Goca Më: 18 shtator 2020 Në ora: 18:40
Ardian Limani - majtas dhe Fidan Gërbeshi - djathtas

Kampioni i Kosovës, Drita nga Gjilani, ka bërë lojë të madhe dhe për mbamendje në stadiumin “Todor Tosheski” në Shkup, duke e tronditur me rezultat 2:0 skuadrën maqedone Sileksin nga Kratova.

Sileksi edhe pse ishte si vendas as që u pa në fushë, sidomos nuk kishte asnjë rast të vetëm me përjashtim të minutës së 83-të, për faktin se ishte amortizuar sulmi i tyre nga mbrojtësit brilant të Dritës. 

Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e kishte studiuar për mrekulli lojën e Sileksit dhe që rezultoi edhe me fitore të pastër dhe me kualifikim në rrethin e tretë të Europa League.

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, futbollisti që i dha qetësi skuadrës së tij, qysh në minutën e 50-të kur nga rreth 13-14 metra pa menduar as dy herë, por me një prekje mjeshtërore të topit e la të heshtur portierin Bozhinovski. 

Djelmoshat e Dritës ia zbardhen fytyrën futbollit të Kosovës, duke dëshmuar se janë më të mirë se skuadra maqedone. 
Drita triumfoi me golat e Fidan Gërbeshit  i cili realizoi nga penalltia (48’) dhe të Ardian Limanit (50’) 

“Bota sot”. Askush nuk e ka pritur një dominim të Dritës kundër Sileksit, duke mos lejuar asnjë rast të vetëm të rivalit përveç të minutës së 83-të të një gjysmërastit, ku ishte forca e skuadrës tuaj?
Ardian Limani:
Ndoshta askush se ka pritur një dominim të tillë ndaj Sileksit, por ne e kemi ditur forcën tonë dhe kishim besim se do ta bënim një ndeshje te madhe! 
Forca kryesore ishte stërvitjet e veçanta që i bëmë për këtë ndeshje duke e analizuar kundërshtarin në detaje. 

Meritë të madhe ka trajneri ynë që nuk lodhet asnjëherë duke analizuar dhe punuar! 

“Bota sot”: Si ndihesh për supergolin nga rreth 13-14 metra, a kishe tremb në ato momente?
Ardian Limani:
Të momenti golit isha plotësisht i qetë, unë e pashë që portieri ishte nisur të dal dhe menjëherë godita portën!

“Bota sot”: Sot shumica e mediave polake i dhanë jehonë Dritës para ndeshjes me Legia-n, duket se ia kanë sado kudo frikën skuadrës tuaj. Si e sheh sfidën e 24 shtatorit (në orën 20.30) në Varshavë kundër Legia-s, një befasi e radhës?

Ardian Limani: Me cilësitë që kemi treguar së fundmi, është e drejtë që të na vlerësojnë polakët dhe kushdo tjetër. Nuk do ta kenë të lehtë kundër nesh, ani pse ne e dimë forcën e tyre. Ata janë favorit, por ne do të përgatitemi për një ndeshje edhe më të madhe që të mund të shkaktojmë befasi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat