Chelsea pret Liverpoolin në Londër

Futboll

Chelsea pret Liverpoolin në Londër

Më: 20 shtator 2020 Në ora: 12:28
Chelsea pret Liverpoolin në Londër

Mbrojtja e arritjeve të mëparshme vazhdon të mbetet detyra më e vështirë në sport. Pa u mbushur mirë me frymë pas fitores tepër të vështirë me Leedsin në javën hapëse, Liverpooli do të masë forcat me ekipin e Chelsea-t, për më tepër brenda në kryeqytet. Një sfidë tepër e veçantë që përmban gjithçka dhe që pritet të shërbejë edhe si treguesi i parë i mirëfilltë për forcën e vërtetë të të kuqve në këtë sezon.

Edicionin e kaluar të kampionatit anglez blutë e mbyllën me plot 33 pikë më pak se ekipi i Liverpoolit, për më tepër edhe trenin e fundit për në Champions skuadra e drejtuar nga trajneri Franck Lampard e kapi vetëm në javën përmbyllëse të Premiership-it. Frankie vërtet e përmbushi më së miri objektivin e klubit londinez, por është e qartë që një diferencë e tillë nuk mund të tolerohet më nga drejtuesit. Sa për statistikë klubi i famshëm nga Merseyside e fitoi titullin e parë pas plot tre dekadave duke grumbulluar 99 pikë, ndërsa një sezon më parë të kuqtë e humbën trofeun më të lakmuar në ishull, ndonëse e përfunduan atë edicion në kuotën e 97 pikëve.

Për Liverpoolin kjo do të jetë vërtet prova e parë e vërtetë, por gjithsesi kalendari iu ofron kampionëve në fuqi gjithashtu edhe Arsenalin, brenda muajit shtator, ekip me të cilin të kuqtë provuan një tjetër zhgënjim në Community Shield, pra Superkupën e Anglisë. Lampard ka shumë alternativa, sidoqoftë janë të shumtë lojtarët që kanë probleme fizike te blutë, ndërsa në anën tjetër trajneri shvab nuk do të ketë në dispozicion vetëm mesfushorin Alex Oxlaide – Chamberlain. Të gjithë janë kurioz për të parë formacionin e Chelsea-t, sidomos pas fitores së vështirë që blutë siguruan në Amex me Brighton-in.

Kjo përballje është shndërruar në një klasike të futbollit anglez, për shkak të rivalitetit që ka ardhur duke u shtuar gjithmonë e më tepër gjatë mijëvjecarit të ri. Fillimisht e ushqyen trajnerët e mëparshëm Jose Mourinho dhe Rafa Benitez, me përballjet fantastike të atyre viteve, ndërsa tani pas polemikave të fundit dhe fitores 5-3 të 22 korrikut radhën e kanë natyrisht Jurgen Klopp dhe Frank Lampard.

Chelsea ka fituar vetëm 1 nga 11 sfidat e fundit ndërmjet tyre në kampionatin anglez, ndërsa sezonin e shkuar të kuqtë triumfuan në të dy takimet që patën në Premiership. Ndeshja Chelsea – Liverpool do të luhet në orën 17:30 në Stadiumin Stamford Bridge dhe do të drejtohet nga kryesori Paul Tierney.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat