Lamtumirë njeriu i madh i Gjeneratës së Republikës! Agim Ademi: Një tjetër mëngjes i trishtë

Futboll

Lamtumirë njeriu i madh i Gjeneratës së Republikës! Agim Ademi: Një tjetër mëngjes i trishtë

Nga: K.Goca Më: 23 shtator 2020 Në ora: 11:09
Lamtumirë njeriu i madh i Gjeneratës së Republikës! Agim Ademi: Një tjetër mëngjes i trishtë

Kosova mbetet pa një personalitet të shquar, pa veprimtarinë e dalluar të Gjeneratës së Republikës, pa donatorin që nuk kurseu as markën e fundit në kohën e okupimit (1991-1999), pa njeriun e sakrificës dhe që e kundërshtoi fuqishëm pushtuesin serb. Iku në amshim Shukri Sylejmani, veprimtari dhe donatori i madh i futbollit, zemra e sportit dhe klubit të futbollit Gjilani. Kosova në zi! Lamtumirë njeriu i madh i Gjeneratës së Republikës, lamtumirë Presidenti historik i KF Gjilani!

“Një tjetër mëngjes i trishtë. Sot paska ikur në amshim njeriu që i dha gjithçka futbollit, ish-kryetari i SC “Gjilani”, Shukri Sylejmani-Shuki!

Kontributi i Shukit në futbollin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm që nga ditët e para të mëvetësimit.

Shuki, si disa bashkëkohës tjerë të tij e shkriu pothuajse tërë pasurinë e tij dhe të familjes për ta mbajtur gjallë futbollin e Kosovës në periudhën më të vështirë të mbijetesës dhe rezistencës ndaj okupatorit serb.

Falë mbështetjes së parezervë dhe menaxhimit të tij SC “Gjilani” u shndërrua në njërin ndër klubet më të organizuara. Kontributi i tij për futbollin nuk ndaloi as në vitet e para të lirisë, duke e shpenzuar edhe metalikun e fundit për klubin e tij të zemrës.

Derbi më i madh i futbollit në Kosovë, Gjilani – Drita, që tashmë ka bërë jehonë edhe në botë, është pikërisht meritë e tij dhe e homologut të tij nga klubi rival, Selami Osmani-Bezi, të cilit nga sot Shuki i bashkohet në botën e përjetësisë.

Fjalët janë të pakta për ta nderuar tërë atë që Shuki bëri për futbollin, andaj, në këtë ditë pikëlluese të ndarjes së tij nga ne, në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të ndjerit, miqve të tij të shumtë dhe SC “Gjilani” për humbjen e këtij njeriu të madh, i cili do të kujtohet gjithmonë për veprën e tij madhështore në mbajtjen gjallë dhe zhvillimin e mëtejmë të futbollit të Kosovës.
I lehtë të qoftë dheu i Kosovës miku im!

Faleminderit për gjithçka çfarë bëre për futbollin e Kosovës!”, shpreh ngushëllime Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat