Bojkoti?

Futboll

Bojkoti?

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 14:02
Duka

Liga Profesioniste e Futbollit Shqiptar organizoi sot një konferencë për mediat në ambientet e stadiumit Air Albania, ku përveç presidentit të Ligës Edvin Libohova i pranishëm ishte edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka i cili prezantoi para gazetarëve propozimet ligjore për qeverinë. Numri 1 i futbollit shqiptar analizoi edhe njëherë 4 kërkesat që i kanë bërë qeverisë, duke i sqaruar me detaje, megjithatë as Duka dhe as Libohova nuk ndezën ndonjë spirale për rifllimin e shpejtë të kampionatit, pasi që kjo të ndodhë duhet që qeveria të plotësojë kërkesat e Ligës së Futbollit.

Fjalën e mori i pari presidenti i Ligës, Libohova. “U ra dakord që Liga të bënte gati një material shpjegues për kërkesat tonë. Një grup pune ka përgatitur propozimet konkrete. Zemra e paketës ligjore është Ligji i Sponsorizimit, në mënyrë që sporti të vërë vendin e duhur”, tha Libohova, i cili më pas i la fjalën Dukës.

Kreu i FSHF u shpreh: “Kjo është një përgjigje për ata që thonë se fshihemi. Lëvizja e presidentëve, ndoshta kemi edhe një lloj ndarje për mënyrën e veprimit, ishte për të bojkotuar. Aksionet janë të ndryshme për të arritur rezultatin. Opinioni duhet të dijë rëndësinë jetike të këtyre ligjeve për sportin. Kemi bërë një material shpjegues që ua kemi vënë në dispozicion. Janë të domosdoshme për zhvillimin e sportit në Shqipëri.Janë minimizuar kërkesat tona. Është pranuar që katër kërkesat janë pak. Deri sot nuk ka një legjislacion fiks, një strategji apo një institucion për sportin në vendin tonë. Ligji i Sponsorimizt është më kryesori. Tentohet të aktivizohet biznesi në sport, t’u japet mundësia për të gjeneruar para. Përpjekjet tona nuk kanë nisur sot. Që në vitin 2016, kur morëm pjesë në Europian, pati vëmendje më të madhe për sportin. Atëherë dukej sikur kishte vullnet nga politika. Kemi propozuar disa projektligje atëherë, morëm specialistë nga vendi dhe jashtë. Morëm edhe ligjin hungarez dhe i kemi paraqitur në kabinetin e kryeministrit. Normal ai ka zyrtarizuar Ministritë e linjës. Propozimi duhet të vijë prej tyre, por e kemi propozuar ne. Ligji i Sportit duhet përmirësuar, por përpara duhet Ligji i Sponsorizimit. Në vitin 2019, siç e dini të gjithë, u organizua një tavolinë e përbashkët. U premtuan ndryshime dhe i vetmi që ndodhi ishte ndryshimi i Kodit Penal për të dënuar ata që dhunojnë. Ndryshoi edhe tatimi mbi të ardhmen e futbollistëve, u bë zero për dy vite. Për ne konsiderohet periudhë e shkurtër.Ligji i Sponsorizimit është që në vitin 1994. Ai ligj ka prodhuar 0 lekë për futbollin apo për çdo sport. Kur ka ndodhur kështu, nuk mund të prodhojë amendimi i vitit 2019. Kam dëgjuar specialistë që thonë 55 për qind privati, e 45 për qind shteti. Trefishi i zeros sjell zero. Nuk mund të flasim njëlloj pas 10 vitesh. I gjithë populli do sport masiv dhe garues, si dhe të marrë të mirat e tij”.

“Nuk po kërkojmë ligjin hungarez, por atë të Kosovës e Maqedonisë. 30 për qind e tatimit të bizneseve të ketë të drejtë të shkojë për sport. Kjo nuk do të thotë që e gjithë kjo të shkojë për sport. Nuk ndodh që 50 milion euro të shkojnë. Maksimumi shkon në 60%, pra 30 milion euro. Kjo nuk ndodh vitin e parë, maksimumi shkon në 10 milion. Ne propozojmë që 50 për qind të shkojë për terrenet.Që të shmangen abuzimet, le të ngrihet një komision që të vlerësojë projektet e paraqitura për infrastrukturën. Që të miratohet që një subjekt sportiv, klub, ekip, duhet që ai që e kërkon të jetë i formalizuar. Ndaj kërkojmë që ajo periudha e tatimit mbi të ardhurat të shtohet. Për projektet sportive, kërkesat duhen bërë një vit më parë. Komisioni duhet të jetë sportiv dhe qeveritar. Pasi ata e miratojnë, e autorizojnë biznesin që të japë të ardhura. Të gjitha klubet, 25 për qind shkojnë për sportet elitare.Klubet e Superiores të marrin deri në 50 për qind të mesatares së buxhetit të përcaktuar nga komisioni. Nëse është 400 mijë euro mesatarja e buxhetit, vetëm 200 mijë euro mund të marrin klubet. Ligji është për të gjitha sportet. Superiorja ka zgjedhur ta sjellë në vëmendje. Jam kundër bojkotit, por nuk ka gjetur rrugë tjetër. Uroj të zgjidhet. Nuk duhet ngjyrosur politikisht. E dëgjova Ministren e Financave dhe më erdhi keq për arsyetimin e saj. Ajo nuk mund ta shohë futbollin si armik. Futbolli është i të gjithëve dhe nuk mund të thotë që nuk e sponsorizon njeri”.

“Nëse sot merr sporti 30 milion euro, ajo shumë do kthehet edhe më e madhe në buxhet në të ardhmen. Sporti sjell shumë të mira. OBSH e ka thënë nga studimet e saj që një lek i sponsorizuar në sport, kthehet katër herë mbrapsht. Tre kërkesat e tjera them t’i trajtojmë ne vete”.

“Ligji duhet bërë, për fëmijët tanë. Harrojini interesat politike. Presidentët kanë deklaruar se po ta bëjnë këtë ligj, edhe mund ta votojnë maxhorancën e sotme. Rikthimi i garës? Ndërprerja nuk është e mirë as një orë. Fakti që kemi ardhur këtu dhe na sjellë në këtë pikë do të thotë që bojkoti nuk ëshët edhe aq keq”.

“Ndryshimet janë të domosdoshme. Diskutimet janë të ndryshme. Për të minimizuar problemet, duhet që të bëjmë këto ligje. Ligji nuk sjell begati, por hap rrugë zhvillimi. Në të ardhmen do bëhen edhe ndryshime të tjera për ta zhvilluar sportin. Dëshira është të realizohet. Nëse rrimë në mendimet e servilëve, nuk arrijmë dot gjë. Nëse mendojmë me dashamirësi, ky ligj duhet të ishte miratuar. Është ligj për komunitetin, për fëmijët. Nuk është për presidentët, po të ishte për një individ do të ishte miratuar brenda natës”.

“Na u kërkua relacioni dhe ja ku është. Nëse duam ta zvarritim, atëherë është çështje tjetër. Fidel Ylli në takimin e bërë e pranoi se kërkesat janë të drejta. Çfarë po kërkojmë? Po kërkojmë sa Kosova, sa Maqedonia? Jemi 90 vite shtet më shumë. Buxheti për sportin është 700 mijë euro, ata japin 11 milion euro. Nuk jemi 12 herë më keq se Kosova. Sporti i ka të domosdoshme. Kjo qeveri ka financuar, por së bashku me ne. Madje kemi ne më shumë nga të gjitha projektet. Ne duam të sforcohemi të gjithë. Kjo nuk ia heq qeverisë përgjegjësinë të ketë buxhete të tjera për sportin. Ka plot modele që të bëhet diçka për sportit, jo të varet nga humori i qeverive. Kjo është diçka që mund të jetë si një minimum jetik”.

“Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Mundohen të hedhin baltë mbi sportin, por janë disa gjëra të vërteta. Ka edhe suksese. Ato që janë negative nuk rregullohen pa përmirësime ligjore. Thuhet që nuk paguhet, por modestish ju them që sot Superiorja paguan 500 milion tatime. Nuk është e gjitha informale, por duam idealen. Duam që sikur ishim në Europë përpara, të jemi edhe këtu përpara”.

“Ironia e fatit është se edhe zëvendësministri i Sportit ka kërkuar një ligj të përafërt me ne dhe u hodh poshtë. Takimet tani janë të kota, pasi ne i kemi thënë të gjitha. Qeveria duhet ta bëjë. Nuk duhet ta marrë si presion, por si përgjegjësi që duhet ta marrë përsipër”.

KËRKESAT E TJERA – “Ne duam ta formalizojmë sportin. Janë të përcaktuara shpenzimet, nga biletat, nga reklamat, nga sponsorizimet. Të bëhen aq, ndryshe është e vështirë. Bujqësia është jetike, sporti i domosdoshëm. Sa i takon gjobave dhe kamatave, janë tre klube që i kanë krijuar ndër vite. Nuk themi që të mos i paguajnë detyrimet. T’i paguajnë, por qeveria t’u falë gjobave dhe kamatave. Më pak se 1 milion euro është dëmi. Nëse kjo është pika që i vret ata, le të mos e bëjnë atë. Por le ta bëjnë Ligjin e Sponsorizimit. Në këtë gjendje as nuk i mbajmë dot lojtarët, jo më të sjellim cilësorë. Po e shohim si po ikin në Kosovë. Për këtë, këtë periudhë tatimi mbi pagën të bëhet zero të zgjatet me më shumë se dy vite. Nuk duan as këtë, le të bëjnë ligjin e Sponsorizimit”.

“E kemi informuar UEFA-n për çdo gjë. Kam pasur një bisedë me presidentin dhe e kam informuar. Nuk është se është vendimmarrje e tyre. Janë të interesuar të zgjidhet kjo çështje, që qeveria të bëhet mbështetëse e sportit. Në takimet me kryeministrin më ka thënë që duhet t’i bëjëm këto. Më pas në takimet e bëra është zeruar çdo gjë. Ndoshta kur të dëgjojë këto do ta kuptojë që nuk qenka edhe qa gogol”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat