Shaqiri të largohet nga Liverpooli para mbylljes së afatit kalimtar...

Futboll

Shaqiri të largohet nga Liverpooli para mbylljes së afatit kalimtar...

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 15:30
Shaqiri të largohet nga Liverpooli para mbylljes së afatit kalimtar...

Ottmar Hitzfeld, ish-trajner i Zvicrës, e ka këshilluar futbollistin kosovar të largohet nga Liverpool dhe t’i bashkohet ndonjë klubi tjetër anglez ose të rikthehet në Bundesligë

Ish-selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld e ka këshilluar Xherdan Shaqirin të largohet nga Liverpooli para mbylljes së afatit kalimtar të hënën që vjen,

Futbollisti ynë i shfaqi aftësitë e tij kur shënoi gol mjaft të bukur nga gjuajtja e lirë për ta ndihmuar Liverpoolin në fitoren 7:2 ndaj Lincolnit javën e kaluar në Carabao Cup.

Mirëpo, përfaqësuesi zviceran nuk ishte pjesë e 18-shes së të ftuarve të Liverpoolit në tri fitoret e regjistruara në Premierligë këtë sezon.

Kjo vazhdoi kur ai u la jashtë edhe në ndeshjen e së hënës ndaj Arsenalit, të cilën “Reds” e fituan 3:1.

Liverpooli do të luajë përsëri sonte në Carabao Cup me “Gunners” dhe futbollisti nga Zhegra e Gjilanit pritet të luajë nga minuta e parë.

Mirëpo, kjo është e pamjaftueshme për 28 vjeçarin, i cili në dy sezonet e fundit ka luajtur shumë pak.

Andaj, ish-trajneri i tij tek Zvicra, Hitzfeld insiston se Shaqiri ka nevojë për një sfidë të re.

“Xherdani duhet të lëvizë në drejtim të një klubi ku do të mund të luante në vazhdimësi. Ai duhet të jetë i lumtur përsëri. Ne të gjithë duam ta shohim Xherdanin të lumtur sërish. Ndryshimi do të ishte i mirë për të gjithë përreth tij dhe për fansat e tij”, ka thënë Hitzfeld për të përditshmen zvicerane “Blick”.

“Një klub i Premierligës me një mesfushorë solide do të ishte një hap i mirë. Ose do të mund të shkonte në Bundesligë në klubet si Gladbach, Leverkusen apo Wolfsburg. Ai duhet ta rifitojë ndjenjën e topit dhe të ketë më shumë ndeshje në këmbët e tij”, përfundoi trajneri gjerman.

Liverpooli e kishte transferuar Shaqirin nga Stoke City në korrik të vitit 2018 për 13,5 milionë funte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat