Nexhat Shabani: Maqedonia-Kosova, ky moment do ta vendos ndeshjen

Futboll

Nexhat Shabani: Maqedonia-Kosova, ky moment do ta vendos ndeshjen

Më: 6 tetor 2020 Në ora: 15:15
Nexhat Shabani, i pari majtas

Nexhat Shabani, emri i njohur i futbollit në Maqedoninë e Veriut dhe trajner i disa skuadrave elitare në vend, për News-TV ka deklaruar se Maqedonia dhe Kosova do të hyjnë me shanse të barabarta në ndeshjen e ditës së enjte në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup me fillim prej orës 20:45 minuta.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të përballen në sfidën e vlefshme të Ligës së Kombeve, saktësisht gjysmëfinalen e këtij kompeticioni të Ligës D.

“Është ndeshje e cila vendos se cila kombëtare do të luaj në finale të Ligës së Kombeve. Mendoj se të dyja palët kanë gjasa të njëjta, por Maqedonia ka përvojë më të madhe në ndeshjet ndërkombëtare. Por, këtu do të vendos momenti individual dhe cila kombëtare do të bëj më pak gabime. Është vetëm një ndeshje dhe presioni do të jetë i madh tek futbollistët”, ka thënë Shabani, dikur ish-ndihmëstrajner i Maqedonisë.

Ai thotë se është vështirë të luhet në një ambient pa publik, për shkak të pandemisë me Covid-19.
“Është vështirë të luhet në ambient pa tifozë. Megjithate, situata me Covid-19 e pamundëson një gjë të tillë, ndërsa dëshira do të jetë e madhe për dyja ekipet, pasi për herë të parë do të jenë në situatë që të sigurojnë pjesëmarrjen në një kompeticion të madh, siç është kampionati europian”, thekson strategu i njohur Shabani.

Ai tregon edhe armët e forta të dyja kombëtareve.
“Që të dyja kombëtaret kanë ekipe të barabarta dhe futbollistë cilësorë. Kosova më shumë luan me stil më sulmus, për shkak të mentalitetit. Dëshirojnë që sa më shpejt të arrijnë në sulm, por këtu duhet të mendohet edhe në repartin e mbrojtjes. Kurse, Maqedonia ka më tepër durim në organizimin e sulmeve dhe është më e kujdesshme në defansiv. E përsëris se momentet do ta vendosin ndeshjen, më saktë gabimet”, vijon më tej ai.

Në fund, Nexhat Shabani shtoi se terreni vendës ndonjëherë është avantazh, por edhe presion. Sipas tij, të dyja përfaqësueset kanë shanse të njëjta dhe se do të vendos disponimi i futbollistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat