12 milionë euro do të investohen në stadiumin “Adem Jashari”

Futboll

12 milionë euro do të investohen në stadiumin “Adem Jashari”

Më: 6 tetor 2020 Në ora: 17:09
foto ilustrim

12 milionë euro do të investohen në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, dhe do të jetë i gatshëm në fund të vitit të ardhshëm.

Kështu ka deklaruar ministrja e sportit, Vlora Dumoshi, gjatë një vizite që ka bërë në qytetin e Mitrovicës.

Njoftimi i MRKS:

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot komunën e Mitrovicës, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri.

Gjatë këtij takimi  u diskutua për projektet kapitale në të cilat Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë në këtë komunë.

Në fjalën e saj ministrja Dumoshi tha se së bashku me kryetarin Agim Bahtiri biseduam për projektet kapitale të cilat janë investime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Stadiumi “Adem Jashari” i cili ka një kosto rreth 12 milionë e gjysmë euro është projekt kapital, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Në komunën e Mitrovicës ia vlen të investohet sepse një është stadium i kategorisë së katërt, i cili i plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe do të jetë një ndër stadiumet më të bukura, për shkak të kapaciteteve që ka. Ky stadium brenda do t’i ketë edhe shtigjet e atletikës dhe jashtë do të pasurohet edhe me një teatër veror” tha ministrja Dumoshi.

Tutje, ajo tha se  “Gjithashtu ne do të investojmë dhe në projekte të tjera kapitale siç janë Stadiumi “Riza Lushta” në të cilin do të investojmë për tribuna si dhe tetë projekte për restaurim, duke filluar nga kulla e Isa Boletinit, shtëpia e familjes së Xhafer Devës dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme.”

Duhet të veçohet edhe pjesa e kulturës, ku Mitrovica njihet për kulturë, dhe përmes projekteve të dhëna nga MKRS-ja komuna e Mitrovicës ka kanë qenë përfituese e 24 projekteve kulturore, kurse nga Departamenti i Rinisë kanë përfituar 12 OJQ.

Ndërkaq, kryetari  i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha që me ministren Dumoshi kemi një bashkëpunim të mirë. Deri më tani i kemi 36 projekte të cilat i ka mbështetur Ministria e Kulturës dhe së bashku me ministren biseduam edhe për gjëra të tjera të cilat janë më interes të përgjithshëm, siç është Stadiumi “Adem Jashari”, i cili besoj që do të përfundojë shumë shpejt dhe ne e falënderojmë ministren Dumoshi për punën dhe përkrahjen që po e jep për komunën tonë.

Gjatë kësaj ngjarjeje kryetari Bahtiri shpalosi projektin për Stadiumin “Adem Jashari”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat