Shqipëria mobilizohet

Futboll

Shqipëria mobilizohet

Më: 6 tetor 2020 Në ora: 17:22
Shqipëria mobilizohet

Dy futbollistët kuqezi, Marash Kumbulla dhe Myrto Uzuni, dolën sot në një konferencë për mediat ku kanë folur për dy ndeshjet e ardhshme të ekipit kombëtar. Mbrojtësi shqiptar i Romës foli për transferimin e bujshëm në klubin kryeqytetas, për ndeshjet dhe për objektivat e kombëtares.

Ndërkaq, Uzuni i Ferencvaroshit, i kualifikuar në Ligën e Kampionëve, foli për formën e mirë që po kalon me klubin, bisedën me trajnerin Reja dhe lojtarët që ndihet më mirë në kombëtare.

Në fillim ishte Kumbulla që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp:

– Si ndihesh tani që në karrierën tënde ke hedhur një hap më të madh? Të luash me Romën, një nga klubet më me emër në Serinë A, beson se kjo do të të ndihmojë shumë në përfaqësuese për të qenë një titullar fiks?

– Jam shumë i kënaqur sepse shkova në një klub me shumë histori në Itali. Besoj se do të më ndihmojë. Të shohim zgjedhjet e trajnerit, e rëndësishme është që kombëtarja të fitojë dhe të luajë mirë.

– Ju të gjithë mbrojtësit e kombëtares tonë, luani në Itali dhe Italia njihet si vendet me trajnerët më fanatikë sa i përket mbrojtjes. Si e ke parë nga jashtë përfaqësuesen, pse ne, duke qenë se kemi gjithë mbrojtësit në Itali, kemi ndoshta pak më tepër probleme në mbrojtje, nuk mund të përmirësohet diçka e tillë?

– Besoj se nuk është vetëm problem i mbrojtjes, por i gjithë repartit. Nuk ka të bëjë vetëm me tre mbrojtës, por me gjithë ekipin. Besoj se nuk është shumë problem, por do përmirësohemi në të gjitha repartet e ekipit.

– Marash, thuajse ekzaktësisht para një viti, debutove me Kombëtaren shqiptare, të ka ndjekur një fat i keq gjatë kësaj periudhe, pasi një sërë grumbullimesh i ke humbur për shkak të dëmtimeve apo problemeve. Tani është momenti që ta nisësh si titullar dhe të tregosh se e dëshiron fanellën e titullarit dhe e meriton ndoshta edhe duke parë edhe karrierën tënde.

– Unë nuk e di a do të jem titullar apo jo, sepse zgjedhjet i bën trajneri. Unë shpresoj të luaj, të ndihmoj ekipin të fitojë. E rëndësishme është që Kombëtarja të luajë mirë dhe të fitojë, me mua apo pa mua.

– A je gati personalisht që të marrësh rolin e liderit në qendër të mbrojtjes?

– Unë besoj jam mbrojtësi më i ri në Kombëtare dhe nuk jam unë që do bëj liderin, është Berati, Dermaku mbrapa që do bëjnë rolin e liderit para meje.

– Në fund të ndeshjes me Juventusi, ke pasur një bisedë dhe buzëqeshje me Chiellinin. A mund të na zbulosh se çfarë të tha ai?

– Ndërrova bluzën me të, pasi është idhulli im dhe më tha që ishte plakur dhe më përgëzoi për zgjedhjen që bëra për t’u transferuar te Roma.

– Çfarë të ka kërkuar apo çfarë ke biseduar me trajnerin Reja meqënëse kjo është një rinisje ose nisja jote me kombëtaren?

– Asgjë specifikisht, por si gjithë të tjerët, pretendon rezultat, të respektoj rregullat dhe të stërvitem fort.

– Marash, në ndeshjen kundër Kazakistanit dhe Lituanisë, vijmë me një skuadër pa lojtarët e zakonshëm, me pjesën kryesore që do të mungojnë. Jeni ju të rinjtë që do ta përballoni këtë lloj situate, mendoni që Shqipëria nuk do të ketë asnjë lloj humbjeje, flasim në cilësi dhe karakter, pavarësisht mungesës së këtyre veteranëve?

– Në fakt do të humbasë, sepse ata janë senatorë dhe kanë vite në kombëtare. Por besoj se edhe këta të rinj që kanë ardhur, bashkë me mua, kemi karakter dhe cilësi për ta përballuar këtë ndeshje.

– Për dy ndeshjet, çfarë rezultati mendoni se do të merrni?

– Ne futemi në fushë gjithmonë për të fituar.

– Marash, duket se do të keni përgjegjësi të mëdha, të paktën në këtë ndeshje, pritet të jeni titullar. Çfarë prisni nga këto dy ndeshje dhe cilat janë objektivat që ka vënë trajneri, me sa pikë është ai i kënaqur?

– Përpara mendojmë Kazakistanin, sepse është ndeshja e parë, por pres vetëm ta fitojmë këtë ndeshje, të luajmë mirë dhe asgjë tjetër. Edhe trajneri nuk flet shumë për ndeshjet e tjera, fokusi kryesor është Kazakistani, pastaj mendojmë për Lituaninë.

Më tej, ishte radha e mesfushorit Myrto Uzunit t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve:

– Myrto, keni shënuar dy gola në Champions League dhe keni arritur edhe kualifikimin në fazën e grupeve. Keni ruajtur ndonjë gol për kombëtaren?

– Kam shënuar dy gola shumë me vlerë me ekipin, por tani është koha për kombëtaren dhe të japim maksimumin të gjithë të bashkuar dhe të marrim rezultate pozitive.

– Çfarë ndjesie të jep Myrto, që tani vjen në Kombëtare si një lojtar që do të luash në fazën e grupeve, që ke shkëlqyer te Ferencvaroshi? Të jep një motivim ekstra për këto paraqitje?

– Normalisht, kur vjen Kombëtarja, ndjesia është shumë e madhe pasi që një futbollist të veshë fanellën e kombëtares është diçka shumë e mirë. Realisht, golat më japin motivim edhe shtysë të vazhdoj akoma përpara.

– Dje, përpara stërvitjes së parë të kombëtares, u pa që trajneri Reja, u përkushtua shumë te ti. Keni diskutuar gjatë me trajnerin dhe me lojtarët e tjerë të stafit. Mendoj se ishte biseda e parë pas kualifikimit. Mund të na zbulosh çfarë të tha trajneri, të uroi, të dha ndonjë motivim ekstra edhe për kombëtaren?

– Trajneri më uroi për golat dhe paraqitjen që bëra pasi ata ndjekin çdo gjë.

– Myrto, të shohim që vrapon shumë, impenjohesh shumë, me pasime, shumë aktiv në zonën kundërshtare. Nga del gjithë kjo energji, nga të vjen?

– Kjo forcë më vjen nga sakrifica që kam bërë pasi vlerësoj çdo stërvitje dhe çdo ndeshje si stërvitjen dhe ndeshjen e fundit. Kjo më jep shtysë dhe forcë që të eci përpara dhe të vrapoj dhe të luftoj.

– Myrto, në përfaqësuese është gjithmonë krenari besoj për çdo lojtar të luajë, por do ndalesha pak te rreshtimi që luan Edi Reja, 3-5-2 me atë që ju jeni te Ferencvaroshi. Sa ju përshtatet kjo skemë e përfaqësueses që luan tani?

– Normalisht, puna ime është të shënoj sa më shumë gola me klubin tim, sa i përket kombëtares, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Për aktivizimin e vendos trajneri, puna ime është të shënoj gola.

– Mendon që tani, pasi këtij bumi me gola dhe kualifikimit në fazën e grupeve, beson që do kesh më shumë vlerësim dhe besim nga ana e trajnerit?

– Besoj se po, por duhet të stërvitem fort dhe t’i tregoj trajnerit në stërvitje që jam gati dhe ai e vendos.

– Me kë ndihesh më mirë në fazën e sulmit nga djemtë që janë sot? Ka mungesa të rëndësishme, por sido që të jetë ju që jeni të rritur keni bërë mirë, duke nisur me ty. Ku e gjen veten më mirë dhe me kë ndihesh më mirë në repart që të kombinosh me shokët e skuadrës.

– Normalisht që mirë ndihem me Baren dhe Manaj, sepse jemi bashkë që nga ekipi i U-21 dhe e njohim mirë njëri-tjetrin. Pak më shumë me këta të dy.

– Së fundmi, nisur edhe nga forma jote, menjëherë sapo shkove te Ferencvaroshi, janë rritur edhe fansat e tu. A ke një mesazh, një koment për të gjithë ata që të mbështesin?

– Dua t’i falënderoj të gjithë pasi ata më kanë dhënë motivim dhe forcë që unë jam këtu ku jam sot. I premtoj që do jap më të mirën.

– Myrto, ke shlëqyer me Ferencvaroshin. Kur do ta kesh atë shkëndijën me kombëtaren shqiptare? Do ta kesh në ndeshjen ndaj Kazakistanit?

– Sa i përket Ferencvaroshit, është histori e shkuar. Tani ndodhem me ekipin kombëtar. Uroj tani të jap maksimumin dhe të jem vendimtar për ekipin kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat