Me shumë mungesa por me optimizëm, ‘Dardanët’ të gatshëm për “ndeshjen e jetës” kundër Maqedonisë

Futboll

Me shumë mungesa por me optimizëm, ‘Dardanët’ të gatshëm për “ndeshjen e jetës” kundër Maqedonisë

Më: 8 tetor 2020 Në ora: 08:01
Dardanët

Pritjes së gjatë i erdhi fundi.

Sot (e enjte) në ‘Tose Proeski’ në Shkup luhet ndeshja gjysmëfinale e Play Off të Ligës së Kombeve, mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Kjo ndeshje fillimisht ka pasur të luhet në muajin mars, por shpërthimi i COVID-19, ka bërë që ndeshja të shtyhet deri më datën 8 tetor.

Përkundër mungesave të lojtarëve kryesor si Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani, te Kosova janë optimistë, dhe fitorja mbetet synimi i vetëm.

“Nesër është një ndeshje shumë e rëndësishme, jo veç për ne si kombëtare, por për gjithë shtetin, e dimë se çfarë do me thënë kjo ndeshje. E kemi pritur që një kohe të gjatë. Secili e ndjen rëndësinë e kësaj ndeshje, dhe secili na përkrah. Për ne si futbollistë, është ndeshja e jetës, besojmë të arrijmë rezultat pozitiv”, ka deklaruar Atdhe Nuhiu në konferencë për shtyp.

Në anën tjetër, Bernard Challandes është deklaruar: “Dy vite e gjysmë më parë, në takimin e parë me ekipin, kemi folur për një ndeshje të tillë, potencialisht për të arritur një ndeshje të tillë, jo si një qëllim, por si një ëndërr, dhe tani jemi afër kësaj ëndrre”.

“Tash jemi pranë një momenti kur edhe ëndrrën mund ta prekim, por siç e thatë edhe ju kemi disa probleme, nuk jemi në situatën më perfekte, por Kosova si ekip futbolli ka treguar se di t’i përballoje këto situata, duke i kthyer në favor të vetin”.

Ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës luhet me fillim nga ora 20:45.

Fituesi i këtij takimi, në gjysmëfinale luan ndaj fituesit të sfidës tjetër, Gjeorgji – Bjellorusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat