Arbnor Morina: Në Drenicë shkojmë për tre pikë

Futboll

Arbnor Morina: Në Drenicë shkojmë për tre pikë

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 20:48
Arbnor Morina

Java e shtatë e Superligës së Kosovës në futboll starton nesër.

Një nga ndeshjet më interesante të kësaj xhiro është edhe ajo ndërmjet Arbërisë dhe Drenicës, që do të luhet në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina thotë se e pret një ndeshje mjaft e vështirë ndaj një skuadër e cila luan futboll të bukur.

“Luajmë ndaj Drenicës që është në një formë të mirë dhe praktikon futboll mjaft të bukur për vite të tëra. Ne shkojmë me aspiratat tona, me lujtë mirë dhe me të marrim një rezultat pozitiv, ne në asnjë ndeshje nuk po mbrohemi, po luajmë futboll të hapur. Edhe në Drenicë do të shkojmë të luajmë njëjtë”, tha fillimisht trajneri Arbnor Morina.

Ai komentoi edhe dy ndeshjet e kaluara ndaj Gjilanit dhe Ballkanit.

“Në Gjilan ka qenë një rezultat negativ pas gabimeve tona, kurse me Ballkanin ka qenë diçka tjetër, lojtarët kanë qenë fenomenal si gjithmonë, por s’po du me komentu këtë duel, pasi kanë shkuar gjërat siç kanë shkuar”, vazhdoi Morina.

Në fund ai potencoi se skuadra e tij po praktikon futboll sulmues dhe hyn edhe në këtë sfidë për tre pikë.

“Ne në çdo ndeshje hyjmë për me i fitu tre pikë, pasi loja jonë është e tillë, ne nuk mbrohemi, ne sulmojmë. Hijeshia e futbollit është me dhënë një gol më shumë ai që mundet”, përfundoi Morina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat