Futbollistja kuqezi që dallon në shkollë dhe në fushë

Futboll

Futbollistja kuqezi që dallon në shkollë dhe në fushë

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 12:22
Jehona Coka

Jehona Coka deri në moshën 13-vjeçare luante futboll me djemtë dhe vajzat e lagjes në Kukës, derisa në televizor pa një nga futbollistet tona të kombëtares, Cyme Lulaj, të cilën e kontaktoi dhe i tregoi mbi pasionin e saj, futbollin. Që aty nisi rrugëtimi i saj i bukur me botën e futbollit, e që duket se do të jetë një histori suksesi.

Në intervistën e saj për fshf.org, Coka tregon vështirësitë e jetesës në Tiranë pa prindërit dhe marrëdhënien e shkëlqyer me shkollën. Synim ka kombëtaren A dhe të luajë jashtë Shqipërisë teksa përpiqet që të ndjekë rrugën e idhullit të saj amerikan, Alex Morgan.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Njerëzit që më njohin mirë thonë se unë kam lindur me topin nën këmbë, për shkak se kam filluar të luaj futboll që kur isha 5 vjeçe. Normalisht, nuk kam qenë pjesë as e ndonjë ekipi, as në lagje, por luaja në shtëpi me top, ashtu siç dija unë, pa e ditur se futbolli do të kthehej në pasionin tim më të madh. Më pas, kur u rrita edhe pak, fillova të shihja edhe ndeshje me babin. Aty shikoja mënyrën se si futbollistët e mëdhenj luanin, si e triblonin topin, si i gjuanin goditjet e dënimit etj.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Kur isha 13 vjeçe, shoh në një emission televiziv, një personazh të njohur të botës së futbollit femëror shqiptar, Cyme Lulaj. Asokohe luaja thjesht futboll, pa qenë pjesë e asnjë ekipi dhe mendova ta kontaktoj. Fola me të dhe pas disa muajsh, ajo më bën ftesë që të isha pjesë e ekipit të Kinostudios. Familja sigurisht ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua, por Cymja ka besuar tek unë, duke më siguruar edhe një vend në klubin ku unë luaj edhe sot.

– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin?

– Marrëdhënia ime është shumë e mirë, si me shoqet e skuadrës, ashtu edhe me stafin. Por do të veçoja marrëdhënien me trajnerin, një marrëdhënie e shkëlqyer, e cila më bën të punoj edhe më shumë e më fort.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?

– Ishte emocionuese dhe e papritur, më dukej më shumë si ëndërr sesa diçka e vërtetë. 4 shkurti i këtij viti ka qenë një nga ditët e mia më të lumtura sepse kjo më jep shpresë për të ardhmen time në këtë rrugëtim që kam nisur. Nuk është pak të jesh pjesë e kombëtares.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?

– Në turneun që u zhvillua në Shqipëri në muajin shkurt, unë shënova kundër Gjeorgjisë një gol, të cilin ia dedikova tim vëllai, që kisha dy vite pa e parë. Pa diskutim, ky ka qenë momenti im më i lumtur, për të cilin ndjehem mjaft krenare.

– Si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv?

– Edhe kur humbasim, dal me kokën lart nga fusha, sepse humbja është një rezultat i cili duhet të pasohet nga një fitore. Do mërzitem gjithë ditën, por nuk do të fitoj asgjë. Për këtë arsye, në të shumtën e rasteve, pas humbjes, nuk bëj pushim, por mendoj direkt për ndeshjen e radhës dhe filloj të stërvitem.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Sakrifica më e madhe për mua është që jam detyruar të qëndroj larg prindërve të mi që në moshën 13 vjeçare. Ata jetojnë në Kukës ndërsa unë me vëllain tim jemi shpërngulur në Tiranë, kur unë mora ftesën për t’u bërë pjesë e ekipit të Kinostudios. Në fillim të sezonit të shkuar u dëmtova dhe kam qëndruar për gati një muaj në shtëpi, pa përkujdesjen e tyre. Kjo ka qenë shumë e vështirë për mua.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

– Këshillën më të vyer e kam marrë nga trajneri im i cili më thotë gjithmonë se duke u stërvitur shumë dhe duke i lënë të tjerët të flasin, një ditë do të arrij majat.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

Idhulli im është Alex Morgan, një futbolliste me origjinë amerikane, e cila ka qenë ndër të parat futbolliste femra që kam parë të luajnë. Ajo është kthyer në burim frymëzimi për mua dhe përpiqem të eci në gjurmët e saj dhe pse jo, në të ardhmen të arrij edhe sukseset e saj.

– Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Vajzave u them që të gjithë jemi të barabarta dhe të qenurit vajza nuk duhet të na privojë të ndjekim ëndrrat tona. Duhet të tregojmë se bashkë, mund t’ia dalim ta bëjmë futbollin e femrave elitar në Shqipëri.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimi im për të ardhmen, sa i përket futbollit është që të luaj me një klub të madh dhe gjithashtu të luaj për kombëtaren A të femrave. Por gjithashtu jam shumë e fokusuar edhe te shkolla, pasi jam një nxënëse e dalluar dhe synoj që të vazhdoj universitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat