Shqipëria e femrave sfidon nesër…

Futboll

Shqipëria e femrave sfidon nesër…

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 13:02
Shqipëria e femrave sfidon nesër…

Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave ka mbyllur dje edhe përgatitjet për ndeshjet në transfertë kundër Skocisë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2021, takim që do të luhet nesër në orën 20:30. Siç dihet, skuadra prej disa ditësh qëndron e grumbulluar në Shkodër për të përgatitur sfidën ndaj skocezeve, ndërsa sot do të fluturojë drejt Britanisë.

Në prag të kësaj përballjeje, trajneri Armir Grima ka komentuar mbarëvajtjen e përgatitjeve: “Jam shumë i kënaqur me impenjimin e lojtareve dhe dëshirën që kanë treguar për t’u stërvitur dhe për ta përballuar me sukses këtë ndeshje. Kemi pasur pak probleme punën e udhëtimit të vajzave për të ardhur këtu, por ajo që ka rëndësi është harmonia që të gjitha lojtaret kanë me njëra-tjetrën dhe dëshira e madhe që kanë për të luajtur futboll.

Po i shfrytëzojmë këto ditë për t’u testuar, në mënyrë që të japim më të mirën ditën e ndeshjes, sepse dihet që përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë”, deklaroi Grima për “RTSH Sport”.

Shqipëria ndodhet në Grupin E, së bashku me Portugalinë, Skocinë, Qipron dhe Finlandën. Në ndeshjen e fundit, e cila u zhvillua në 11 mars, vajzat kuqezi morën një fitore të bukur 0-2 në transfertë me Qipron, ndërsa në 5 takime të luajtura gjithsej në grup, Shqipëria regjistron 4 humbje dhe vetëm 1 fitore, ku renditet në vendin e katërt. Grupi kryesohet nga Finlanda, e cila ka arritur të grumbullojë 10 pikë në 4 ndeshje. Skocia renditet e dyta me 6 pikë, por ka zhvilluar vetëm 2 ndeshje. Portugalia regjistron 4 pikë po në dy takime, ndërsa Qiproja renditet e fundit në kuotën e 0 pikëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat