Klopp e ka me VAR-in

Futboll

Klopp e ka me VAR-in

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 12:24
Klopp e ka me VAR-in

Pas humbjes befasuese ndaj Aston Villës dhe barazimit 2-2 në derbin ndaj Everton, Liverpool u rikthye më në fund te fitorja në kampionat, pasi mposhti jo pa vështirësi Sheffield United me rezultatin 2-1 mbrëmjen e djeshme në “Anfield Road”.

“The reds” e panë veten në disavantazh që në minutën e 13’, kur norvegjezi 22-vjeçar Sander Berge ekzekutoi saktë një penallti të akorduar me ndihmën e VAR-it, por ky vendim nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Jurgen Klopp.

“Ishte ndeshja e gjashtë në kampionat dhe në tre prej tyre jemi ndëshkuar prej vendimeve të gabuara. Edhe sot VAR-i akordoi një penallti në kufijtë e qesharakes. Nuk duam asnjë avantazh nga arbitrimi, por të paktën të mos na penalizojnë”, u shpreh trajneri gjerman.

Liverpooli më pas përmbysi sfidën me një gol të Firminos e një tjetër të portugezit Diogo Jota, por sfida mbeti e hapur deri në fund, ndërsa Klopp i gëzohet edhe performancës së jashtëzakonshme të Salah, Mane e Alisson.

“Është një moment i vështirë, pasi po luajmë çdo tre ditë dhe lojtarët janë të lodhur. Me rëndësi ishte që përmbysëm rezultatin, por duhej të kishim shënuar edhe një gol, që të mos rrinim në ankth deri në fund. Megjithatë dua të vlerësoj djemtë për peformancën dhe veçanërisht Salah, Mane e Alisson, që konfirmuan se janë liderët e këtij ekipi”, tha Klopp.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat