Milani dhe Interi janë favoritët kryesorë

Futboll

Milani dhe Interi janë favoritët kryesorë

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 18:27
Modriç

Milani dhe Interi janë favoritët kryesorë për të transferuar mesfushorin e Realit të Madridit, Luka Modriç, sipas informacioneve që vijnë nga mediat spanjolle.

Dy klubet e Milanos kanë kohë që përfliten si një destinacion i mundshëm i kroatit gjatë merkatove të fundit dhe mesa duket, ato nuk kanë ndërmend të heqin dorë edhe pse tashmë lojtari është 35 vjeç.

Sipas “Defensa Central”, Modriç i cili e ka përsëritur shpesh gjatë intervistave të fundit se dëshiron të tërhiqet në “Santiago Bernabeu”, nuk ka pasur kontakte me presidentin Florentino Perez për rinovimin e kontratës aktuale e cila skadon qershorin e ardhshëm (2021).

Zikaltrit janë favoritë për të firmosur me fituesin e “Topit të Artë” 2018 nëse ai nuk rinovon me madrilenët, të cilët po mendohen mirë përpara se t’i ofrojnë një kontratë të re yllit të skuadrës, duke marrë parasysh moshën e tij të madhe.

Por Perez është duke marrë në konsideratë gjithashtu edhe ndryshimin e brezit të skuadrës këtë vit për shkak edhe të pasojave ekonomike që ka shkaktuar Koronavirusi. Interi ka kontaktuar me menaxherin e Modriçit dhe i ka thënë atij se ata do të presin për sa kohë të jetë e nevojshme që të sigurojnë një marrëveshje me ish-talentin e Totenhemit.

Por një hap të tillë e ka bërë edhe Milani duke biseduar me agjentin e tij dhe kërkuar të mësojë rreth kushteve të lojtarit. Nga ajo që është kuptuar deri tani, projektit të trajnerit Konte i intereson futbollisti, por ky i fundit nuk ka lëshuar deri tani asnjë sinjal për të ardhmen sepse dëshiron që të arrijë një marrëveshje të fundit me mbretërorët, për ta mbyllur karrierën aty.

Për një gjë të tillë, Modriç është i gatshëm që të sakrifikojë një pjesë të mirë nga rroga e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat