Arb Manaj e vazhdon shkëlqimin në Turqi, flet për eksperiencën e suksesshme atje

Futboll

Arb Manaj e vazhdon shkëlqimin në Turqi, flet për eksperiencën e suksesshme atje

Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 15:30
Arb Manaj

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës U21, Arb Manaj është duke i shfaqur aftësitë e tij mbresëlënëse edhe në Turqi.

Pas paraqitjeve të shkëlqyera në sezonin e kaluar, kur i kishte shënuar 18 gola dhe duke arritur t’ia siguronte Trepçës ‘89 qëndrimin edhe për një vit në Superligë, Manaj kishte oferta nga shumë skuadra evropiane, por që në fund ai u transferua te skuadra turke Ankara Keciörengücü.

22-vjeçari në këtë fillim të sezonit ka arritur t’i shënojë tre gola me ekipin e tij, dy prej tyre në ndeshjen për kupë, ndërsa golin në ligë e shënoi ditën e djeshme vetëm 10 minuta pas inkuadrimit në lojë, me të cilin edhe ia siguroi një pikë skuadrës turke.

Në një prononcim për Gazetën Express, Manaj flet për eksperiencën e tij të re në skuadrën turke Keciörengücü dhe për diferencën në mes Superligës së Kosovës dhe Ligës së Parë Turke, respektivisht kategorisë së dytë të futbollit turk.

“Po, jam duke kaluar nëpër një formë mjaft të mirë. Por, gjithmonë ka vend për përmirësime. Unë do vazhdoj të punoj shumë siç kam bërë gjithmonë”, tha Manaj.

“Ende nuk jam ambientuar plotësisht por do ambientohem me kohën. Jam shumë i kënaqur sepse golat gjithmonë të motivojnë më shumë”, shtoi 22-vjeçari.

“Normalisht që kam marrë dhurata nga stafi dhe trajneri. Dallimi është se këtu është futboll më fizik dhe ritmi më i shpejtë”, u shpreh tutje Manaj.

Ish-skuadra e tij, Trepça’89 këtë sezon në 11 xhiro të zhvilluara ka arritur t’i grumbullojë 14 pikë dhe renditet e gjashta në tabelë, derisa pritet që të luftojë për mesin e tabelës.

Lojtarin e gëzon ky fakt. “Trepçën ‘89 e shoh shumë lartë në tabelë sepse ka ekip mjaft të mirë dhe djem të rinj që premtojnë shumë për të ardhmen”, përfundoi ai.

Arb Manaj karrierën e tij si profesionist e kishte filluar te skuadra e KF Dukagjinit.

Qysh në moshë të re ai i tregoi aftësitë e tij në kampin e organizuar nga FFK-ja në vitin 2013 për grupmoshat U15.

Aty ishte zgjedhur si golashënuesi dhe futbollisti më i mirë i kampit.

Gjithashtu, ishte dekoruar me mirënjohje nga ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, i ndjeri Fadil Vokrri.

Manaj ishte pjesë edhe e Kombëtares Shqiptare U-17 dhe U-19, ndërsa tash është tani pjesë e ekipit U-21 të Kosovës.

Ai e ka edhe një paraqitje me Kombëtaren A të Kosovës në miqësoren ndaj Suedisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat