FSHF gati të paguaj 45 mijë euro për të sjellë Kumbullën në Kombëtare

Futboll

FSHF gati të paguaj 45 mijë euro për të sjellë Kumbullën në Kombëtare

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 11:12
FSHF gati të paguaj 45 mijë euro për të sjellë Kumbullën në Kombëtare

Marash Kumbulla po shndërrohet në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares. Me atë që tregoi në fushë me Veronën në edicionin debutues në Serinë A, fitoi vëmendjen e skuadrave të mëdha në të gjithë Europën. Me vazhdimësinë në fushë, po fiton spaletat e liderit edhe në skuadrën kuqezi.

Së fundmi, qendërmbrojtësi i Romës ka vënë në alarm kuqezinjtë, që nga momenti kur autoritetet sanitare lokale në Romë vendosën që asnjë futbollist të mos largohet nga kryeqyteti drejt ekipeve Kombëtare. Kësisoj, FSHF, krahas trajnerit Reja, është duke komunikuar drejtpërdrejtë me ASL (Autoritetet Shëndetësore Lokale), për të garantuar një udhëtim super të sigurt dhe nën masa speciale, në mënyrë që qendërmbrojtësi të vihet në dispozicion të Rejas për dy ndeshjet e fundit kualifikuese në Ligën e Kombeve.

Edi Reja e do në skuadër, të paktën për Kazakistanin dhe Bjellorusinë me 15 dhe 18 nëntor, dhe FSHF po bën të pamundurën që ta sjellë. Marash Kumbulla ka vënë në lëvizje të gjithë strukturën drejtuese të FSHF-së, me në krye edhe vetë kreun e saj, Armand Duka. Institucioni i futbollit në vend, është vënë në kontakt me autoritetet lokale shëndetësore të Romës, të cilët kanë lëshuar një urdhër që asnjë prej futbollistëve verdhekuq nuk do të largohet në Kombëtare.

Kjo për faktin se në skuadër, pas Xhekos, doli një tjetër rast pozitiv. Kësisoj, mësohet se për të bindur autoritetet italiane dhe për të bërë të mundur mbërritjen e 20-vjeçarit për dy sfidat zyrtare, është vënë në dispozicion nga FSHF një çarter privat, që i mundëson Kumbullës fluturim të sigurt dhe nën kushte të larta sigurie edhe për kontaminimin me “COVID”. Për ta bërë të mundur këtë, FSHF-ja është e gatshme që të paguajë deri në 45 mijë euro, shifra e përafërt e nevojshme për një fluturim të tillë, vetëm që 20-vjeçari të jetë i gatshëm për 2 takimet “finale”.

TRAJNERI PRET
Edi Reja do të jetë në pritje deri ditën e premte për të mësuar në rast se do ta ketë apo jo në dispozicion qendërmbrojtësin. Në Romë, kanë vendosur që më së paku, çështja e Kumbullës të diskutohet, vetëm pasi të gjithë pjesëtarët e skuadrës, stafit dhe lojtarët, të rezultojnë negativ pas një serie tamponësh të shumëfishtë. Vendim ky, për dy rasteve të shfaqura ditët e fundit, Xheko dhe një nga portierët rezervë. Kësisoj, pas miqësores së të mërkurës me Kosovën, maksimumi ditën e premte, trajneri Reja do të mësojë nëse Kumbulla do të jetë në dispozicion apo jo. Kumbulla bashkë me Gjimshitin dhe Ismajlin pritet që të ndërtojë edhe murin e prapavijës kuqezi për dy ndeshjet zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat