Shqipëria rrit kuotat për Angli-Islandë

Futboll

Shqipëria rrit kuotat për Angli-Islandë

Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 18:07
Shqipëria rrit kuotat për Angli-Islandë

Spostimi i ndeshjes Angli-Islandë në Shqipëri është bërë një mundësi më konkrete, por ka marrë kundërshtimin e klubeve të Premier Ligës. Anglia rrezikon ta humbasë në tavolinë ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Islandës më 18 nëntor, mes vështirësive për të gjetur një fushë neutrale për të mirëpritur ndeshjen.

Qeveria britanike ka vendosur karantinë 14-ditore për ata që hyjnë nga Danimarka, ku Islanda do të shkojë dhe luajë tri ditë përpara ndeshjes në “Wembley”.

Kjo do të thotë se në këto kushte Anglia nuk mund të presë kombëtaren nordike në shtëpi dhe ata duhet të gjejnë një fushë neutrale për ta zhvilluar ndeshjen, përndryshe rrezikojnë ta humbasin atë 3-0 në tavolinë. Qiproja, Greqia, Hungaria dhe Polonia janë përcaktuar nga UEFA si vende të mundshme asnjanëse për të organizuar ndeshjet këtë vit, por Federata Qipriote e ka të prenotuar stadiumin e saj të vetëm, për ndeshjen e Ligës së Kombeve mes Armenisë dhe Maqedonisë së Veriut. Federata Shqiptare e Futbollit është vetofruar për të shpëtuar fatin e kësaj ndeshjeje dhe oferta nga Tirana është marrë seriozisht nga Federata Angleze e Futbollit.

Sipas “Daily Mail”, Shqipëria do të ishte shumë e lumtur nëse do të bëhej skena e kësaj ndeshjeje, ndërsa e ka kaluar me sukses një provë si fushë neutrale, pasi mirëpriti kombëtaret e Azerbajxhanit dhe Qipros muajin e shkuar. FA po shikon edhe Gjermaninë si një alternativë, por drejtuesit e FA vazhdojnë të shpresojnë në një përgjigje pozitive të autoriteteve qeveritare për lehtësimin e masave për Islandën që udhëton nga Danimarka.

Sa i përket mundësisë së spostimit të ndeshjes në Shqipëri, ajo është pritur me rezerva nga klubet angleze, të cilat kanë frikë se lojtarët e tyre mund të kenë vështirësi të tjera sa i përket udhëtimit. “Tre Luanët” do të luajnë në Belgjikë të dielën dhe do të ktheheshin në Londër për ndeshjen kundër Islandës, por mundësia që skuadra e Sauthgejtit të bëjë një fluturim 3-orësh përpara ndeshjeve të fundjavës në Premier Ligë do të zemëronte Guardiolën dhe Klopin me shokë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat