E turpshme! Kullotë për delet, ja si ka përfunduar stadiumi shqiptar

Futboll

E turpshme! Kullotë për delet, ja si ka përfunduar stadiumi shqiptar

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 14:35
E turpshme! Kullotë për delet, ja si ka përfunduar stadiumi shqiptar

Sot festohet 1-vjetori i inaugurimit të stadiumit “Arena Kombëtare”, që për arsye komerciale e mori emrin tregtar “Air Albania Stadium”. Perla e impianteve sportive në vend, edhe pse me një defekt jo të vopgël, që lidhet me fushën (tapetin e blertë) e “shtëpisë së kuqezinjve”. Ajo lë shumë për të dëshiruar, ndaj do të bëhet një investim tjetër i konsiderueshëm për ta kthyer në gjendje optimale. Këto vite kemi parë të rinovohet totalisht edhe “Ruzhdi Bizhuta”, i shndërruar në “Elbasan Arena”, apo “Loro Boriçi” në Shkodër. Po ndërtohet një stadium i ri edhe në Kukës, shkruan telesport.al.

Kemi dalë nga balta e dikurshme, të paktën në Kategorinë Superiore, por për turpin e institucioneve, lokale dhe qëndrore, kemi edhe pamje të tilla si në këtë foto. Nuk po flasim për fushën e futbollit të një fshati të largët, majë malit, por për stadiumin “Besa” të Kavajës. Një qytet shumë futbolldashës, që i ka dhënë këtij sporti jashtëzakonisht shumë. Verdhezinjtë kanë bërë histori në elitën e futbollit tonë, kanë dërguar dhjetëra djem të tyre në ekipet kombëtare, kanë fituar edhe trofe; por sot janë të mallkuar të shohin këtë gërmadhë në vend të stadiumit të tyre.

Sikurse dihet, Besa luan në Kategorinë e Parë, por e “ka hapur krahun” për delet, bagëtitë e ndryshme, që të “vallëzojnë” në tapetin e stadiumit të saj, duke migruar në Luz të Vogël për t’i zhvilluar ndeshjet e kampionatit si pritëse. Në stadiumin e Kavajës nuk është vënë dorë që nga viti 1975, kur është inauguruar, përjashto disa ndërhyrje të vogla, kur u vendosën stolat plastikë dhe u bë tribuna qendrore.

Tashmë shkallët e këtij impianti janë zhveshur, si pemët në vjeshtë, ndërsa pankina, tribunë e mjedise të tjera po dekompozohen dita-ditës, të lëna tërësisht në harresë. Sa për fushën, ajo të paktën po e kryen një mision; sepse në të kullosin delet e lopët. Pamje vërtet të trishtueshme, që nuk i shkojnë kurrsesi për shtat një skuadre si Besa, as Kavajës me tradita e histori të madhe në futboll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat