Ibra-Milan, sy më sy

Futboll

Ibra-Milan, sy më sy

Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 15:41
Ibra-Milan, sy më sy

Cila do të jetë e ardhmja për Ibrahimovicit dhe për Milanin? Edhe pse gjithë ambienti është i përqendruar tek e tashmja, kalimi i ditëve afron gjithnjë e më tepër momentin për të bërë zgjedhje. Kontrata e suedezit, në skadencë në fund të sezonit, do t’i detyrojë shpejt palët të shihen sy më sy për të vendosur se çfarë do të bëhet. Ai që e imponon çështjen është vetë Ibrahimovic, që ia ka bërë të qartë diçka të tillë Maldinit pas roveshatës spektakolare ndaj Udineses.

Drejtuesit e kanë marrë sinjalin dhe çështja duhet të vlerësohet si duhet nga të dyja palët në muajt e ardhshëm. Është e qartë se për atë që ka treguar Zlatani, që kur është rikthyer në Milano, askush nuk shtëpinë kuqezi nuk do të hezitonte për ta konfirmuar. Thjesht duke parë numrat, pa marrë në konsideratë peshën në dhomat e zhveshjes, dhe figurën e një lideri, Ibra ka treguar aftësinë e tij për të vendosur. Pavarësisht 39 viteve që ka mbi shpinë, ka treguar një superioritet fizik, që i ka lejuar të koleksionojë shifra të rëndësishme.

Thonë gjithçka 18 golat në 23 ndeshje kampionati, 20 në 29 takime në të gjitha kompeticionet, një mesatare prej një goli çdo 110 minuta dhe fakti që është goleadori kryesor i Milanit në dhjetëvjeçarin e fundit me 62 finalizime. Veç të tjerash, në këtë fillim sezoni, ka marrë kryesimin e klasifikimit të golashënuesve me 8 gola, duke shënuar çdo 56 minuta. Një rekord për t’u respektuar për dikë, që me moshën e tij dhe pas dy vitesh në MLS, mund të konsiderohej një lojtar në perëndim të karrierës. Përkundrazi, Ibra u ka kujtuar të gjithëve se nuk është si gjithë të tjerët, duke rezultuar si pika e kthesës për një Milan që falë tij ka dyfishuar mesataren e pikëve, nga 1.4 në 2.1 për ndeshje, si dhe mesataren e golave, nga 1.2 në 2.2 për çdo takim.

Me pak fjalë, vlera dhe rëndësia e Ibrahimovicit te ky Milan nuk vihen aspak në diskutim dhe nga ana e klubit ekziston gatishmëria maksimale për të negociuar rinovimin e kontratës për një tjetër sezon. Por për çdo vlerësim përfundimtar, do të jenë thelbësorë edhe muajt e ardhshëm. Kjo si për faktin se klubi pret të kuptojë se si dhe sa do të rritet skuadra, ashtu edhe për faktin tjetër se shumëçka do të vendoset nga ambciet për të ardhmen.

Mes kushteve të nevojshme për të zgjatur kontratën është për shembull edhe rikthimi i menjëhershëm në Champions, pasi Ibra pret edhe garanci teknike. Në të njëjtën kohë, suedezi kërkon të vlerësojë se si do të reagojë fiziku i tij pas një sezoni kërkues në nivelin më të lartë, pasi e ka bërë gjithmonë të qartë se do të vazhdojë vetëm nëse ia del të bëjë gjithmonë diferencën.

Aspekti i fundit për t’u vlerësuar, por jo më pak i rëndësishëm është ai ekonomik. Tani Ibra merr 7 milionë euro në sezon, shifër e lartë për parametrat aktualë të kuqezinjve, dhe do të ishte e vështirë që klubi ta kënaqte nëse do të kishte pretendime më të mëdha. Por ky do të jetë një diskutim për t’u përballur në një moment të dytë, me shumë mundësi në pranverë. Ashtu si edhe hipoteza e një të ardhmeje kuqezi në kostumin e drejtuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat