A ka ardhur koha që të shpërblehet Gjenerata e Sakrificës? 

Futboll

A ka ardhur koha që të shpërblehet Gjenerata e Sakrificës? 

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 16:53
Pamje në kohën e Sakrificës, foto Gani Kosumi

Në vitet e 90-ta (1991-1999), kemi pasur një numër të madh të futbollisteve cilësorë, disa prej tyre kishin luajtur në ligën e parë, ligën e dytë dhe ndërrepublikane të ish Jugosllavisë, me krenari iu përgjigjen zëri të Kampionatit të parë të Republikës së Kosovës, duke luajtur në livadhe dhe fusha të improvizuara për të mbajtur gjallë futbollin dhe sportin në përgjithësi!

Periudha më e rëndë në historinë e popullit shqiptarë të Kosovës, askush nuk e dinte se si dilnin nga shtëpia dhe si ktheheshin pastaj, sepse çdo e keqe pritej nga milicia kriminale e pushtuesit serb.

Në fusha pothuajse gjysmë me bari dhe gjysmë tokë, në pluhur, në baltë dhe në borë, pa teshatore, futbollistët duke u pastruar në përroska e lumenj të fshatrave, ashtu si munden edhe i kanë zhvilluar garat e Republikës së Kosovës. 

Nga Dumnica, Çamërli e deri në Raushiq, e dhjetëra fusha në livadhe dhe fusha të improvizuara, u zhvillua futbolli edhe aty të përndjekur, të rrahur që besa edhe të arrestuar nga milicia serbe.  

A ka ardhur koha që të shpërblehet Gjenerata e Sakrificës? 

Nëse vërtetë Federata e Futbollit të Kosovës, me presidentin Agim Ademi, kanë vendosur që të bëjnë ndryshime në kategoritë e reja të Kombëtareve, nga U-15, U-17, U-19, U 21, atëherë shtrohet pyetja: A ka ardhur koha që në krye të saj të emërohen selektor ish futbollistët që i takojnë Gjeneratës së Sakrificës? T’ju jepet një mundësi për të dëshmuar veten, si bie fjala Afrim Tovërlani, Bedridin Gjinali, Arsim Plepolli, Ibrahim Domi, Arsim Abazi, Selajdin Jerliu, Arbnor Morina, Jeton Osmanaj, Bardhec Seferi, Adil Vokrri, Xhevat Kurti, Elvis Osmani, Jeton Çubreli, Sadullah Ajeti, Milaim Humolli, Ismet Munishi, Avdullah Rafuna, Bashkim Idrizi, Rexhep Fona etj.

Këtë më së miri e dijnë komisionet përkatëse dhe FFK-ja, së bashku me Agim Ademi, ky i fundit e di mirë e mirë se çfarë hoqën për të mbajtur gjallë futbollin me të lartpërmendurit dhe me miijëra sportistë të tjerë.

Mos i hidhni në baltë ish futbollistët, mos i lini në harresë ata që sakrifikuan edhe kafshatën e gojës edhe jetën për futbollin e Republikës së Kosovës, sepse nesër do ju vret ndërgjegjja kombëtare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat