Kosova para sprovës me Sllovakinë

Futboll

Kosova para sprovës me Sllovakinë

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 15:48
Kosova para sprovës me Sllovakinë

Kosova është gati për ndeshjen me Sllovakinë. Ndeshja do të zhvillohet të enjten (26 nëntor) në Bratislavë nga ora 19:00 dhe transmetohet në ArtMotion. Takimi është i vlefshëm për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2023.

Basketbollistët e Kosovës të mërkurën në mesditë kishin stërvitjen e radhës, kurse në mbrëmje do të kenë edhe një stërvitje tjetër.

Ndërkohë, të gjithë anëtarët që kanë udhëtuar në Sllovaki, e që janë testuar me PCR, kanë rezultuar negativë.

Kjo është dita e dytë e stërvitjeve në Sllovaki, kurse basketbollistët e Kosovës, që nga dita e mërkurë kanë qenë të karantinuar në Prishtinë, ku njëkohësisht edhe janë stërvitur.

Kosova pas Sllovakisë do të përballet me Islandën, sfidë që do të zhvillohet më 28 nëntor nga ora 16:00.

Atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë dhe basketbollistët janë të motivuar për të dhënë maksimumin në këto dy ndeshje.

Pavarësisht disa mungesave përzgjedhësi Christos Marmarinos është shprehur optimist. “Do të jenë ndeshje të vështira. Në garat ndërkombëtare nuk ka ndeshje të lehta. Nuk presim ndeshje të lehta. Sllovakia ka gjatësi më të madhe se ne, por duhet të adapaktohemi dhe të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne kemi mundur Islandën një herë dhe sigurisht se mund ta bëjmë përsëri nëse jemi të fokusuar maksimalisht. Sigurisht se ajo që mund të garantojmë është angazhimi ynë maksimal”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës për faqen zyrtare të FBK-së.

Optimist është shprehur edhe kapiteni i Kosovës, Drilon Hajrizi. “Ne do të japim maksimumin në këto dy sfida pa marrë parasysh se kush do të luaj. Nëse japim maksimumin, atëherë mund të kemi rezultate pozitive”, është shprehur Hajrizi.

Kosova nga dy ndeshje, ka shënuar dy fitore, duke mundur Islandën dhe Luksemburgun për të qenë lidere e grupit, kurse në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të përballet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat