Një lajm i trishtë ka tronditur botën e futbollit ditën e sotme. Viti 2020 nuk ka sjellë asgjë tjetër veçse lajme negative. Një vit i mbrapsht që duhet të fshihet njëherë e më parë nga kalendari. Media argjentinase “Clarin” ka bërë me dije se legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona, ka ndërruar jetë.
I konsideruar si më i miri i të gjitha kohërave, ikona argjentinase është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare. Arsyeja ka qenë një arrest kardiak që ka pësuar ditën e sotme.
Ndërkohë kujtojmë se disa javë më parë legjenda e futbollit iu nënshtrua një operacioni për shkak të mpiksjes së gjakut në tru, një ndërhyrje kirurgjikale kjo që u krye me sukses.
Lajmi për ndarjen e nga jeta e një emri si Maradona patjetër që lë një shije të hidhur te çdo tifoz futbolli, të cilëve u ka falur pafund emocione dhe magji në fushën e lojës.
Megjithatë ndonëse fizikisht nuk do të jetë më pjesë e kësaj bote, në histori e ka shkruar emrin e tij përjetësisht.