Martinez e dërgon Argjentinën në finale të Kupës së Amerikës

Futboll

Martinez e dërgon Argjentinën në finale të Kupës së Amerikës

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 09:32
Pamje nga ndeshja

Emiliano Martinez e dërgoi Argjentinën në finale të Kupës së Amerikës, pasi i mbrojti tri prej pesë penalltive të Kolumbisë në gjysmëfinale të martën.

Gjysmëfinalja u desh të përcaktohej me penallti, pasi takimi i rregullt prej 90 minutave nuk dha fitues duke përfunduar baras 1:1.

Martinez, i cili u përpoq t’i shpërqendrojë kundërshtarët me fjalë, ishte heroi i vërtetë i Argjentinës duke i mbrojtur gjuajtjet e Davinson Sanchez, Yerry Mina dhe Edwin Cardona nga pika e bardhë.

Ndërsa Lionel Messi, Leandro Paredes dhe Lautaro Martinez shënuan për Argjentinën, për ta siguruar një vend në finale kundër Brazilit.

Finalja mes Argjentinës dhe Brazilit do të zhvillohet më 11 korrik në orën 3 të mëngjesit, sipas kohës sonë lokale, në stadiumin e Rio de Janeiro Maracana.

Të dy ekipet kishin mundësi të mira shënimi për ta fituar një ndeshjen e cila ishte tejet e vrazhdët, pasi prodhoi hiç më pak se 46 faulle dhe 10 kartonë të verdhë.

Argjentina është në kërkim të trofeut të parë të madh ndërkombëtar që prej vitit 1993, kur e fitoi Kupën e Amerikës, dhe përsëri Messi ishte njeriu i ndeshjes, duke e prodhuar asistin e parë të turneut, në të cilin i ka shënuar edhe katër gola.

Pasi e pranoi një pasim fantastik nga Giovani Lo Celso pas gjashtë minutave lojë, Messi ia pasoi topin Lautaro Martinezit i cili shënoi nga afërsia për t’i dhënë epërsinë Argjentinës.

Por Kolumbia u rikthye në lojë shpejt kur e goditi shtyllën dy herë brenda një minute në fund të pjesës së parë.

Luis Diaz shënoi nga një kënd i vështirë për ta barazuar rezultatin për Kolumbinë në minutën e 60-të.

Argjentina është e pamposhtur në 19 ndeshje, që prej disfatës kundër Brazilit në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat