Naseri, prindi i Kosovare Asllanit, shpërthen në lot: Vajza ime luan në finale, e dua medaljen e artë olimpike!

Futboll

Naseri, prindi i Kosovare Asllanit, shpërthen në lot: Vajza ime luan në finale, e dua medaljen e artë olimpike!

Nga: Kemajl Goca Më: 4 gusht 2021 Në ora: 14:13
Kosovare Asllani

Me drithërima pritet finalja e turneut të Lojërave Olimpike në futboll (femrat), mes Suedisë dhe Kanadasë, e cila do të zhvillohet me 6 gusht në stadiumin “New National” në Tokio.

Futbollistja shqiptare me prejardhja nga Kosova, është në finalen e madhe. Është fjala për Kosovare Asllanin e cila paraqitet për Suedinë dhe është lojtarja kryesore e kësaj kombëtare.

Babai i saj, Naser Asllani, me padurim po e pret finalen e madhe. Ai është shumë i emocionuar dhe për një moment shpërthen në lot gëzimi. 

Image

Ai kujton edhe një ndeshje të Kosovares në stadiumin në Kalmar të Suedisë, kur kishte shpërthyer në vaj!

“Spikeri oficiel në stadium thoshte: ‘Nuk kemi nevojë ta prezantojmë se kush është Kosovare Asllani, sepse të gjithë e dini se kush është kjo vajzë. Ai ishte momenti më emocionues për mua”, tregon Naseri.

Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, Naseri tregon se si e ndjen veten që vajza e tij është në finalen e madhe, çfarë i tha pas ndeshjes dhe si e pret finalen e madhe.   

 “Bota sot”: Ju si prind, si e vlerësoni që Kosovare Asllani ka hyrë në histori, me Suedinë është në finalen e madhe të Lojërave Olimpike – “Tokyo 2020”. A është edhe një emocion për ju?

Naser Asllani: E ndjej veten sikurse çdo prind, si çdo prind tjetër, kënaqësi. 

A ka kënaqësi më të madhe se një vajzë shqiptare mi mposhtë të gjitha në olimpiadë, lutem që të na lindin edhe shumë Kosovare tjera, lutem që mos të mbaron me një Kosovare time në futboll. Lutem që të na lindin edhe shumë Kosovare tjera edhe të vazhdojmë me djem e vajza të reja. 

Kënaqësi! Duhet të jemi ballëlart, të vazhdojmë dhe të presim rezultatin final.

Image

“Bota sot”: Sa ka qenë vështirë që ta përcillni ndeshjen gjysmëfinale mes Suedisë dhe Australisë, një fitore minimale (1:0) për suedezet, a keni pasur emocione dhe pas përfundimit të ndeshjes, çfarë keni menduar në ato momente kur vajza juaj u kualifikua në finale?

Naser Asllani: E vërtet! Kam pasur emocione, sikur çdo prind tjetër që kam emocione, ne kemi emocione kur i shohim edhe lojtaret tjera, edhe pse nuk janë fëmijët e mi. 

Kam emocione kur luajnë Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri,  po ashtu kur luftojnë kampionet olimpike, xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, etj. 

Kam emocione dhe është normale. Normal se kam emocione të mëdha, është vajza ime, Kosovarja. Duhet të pranoj se janë emocione personale dhe shumë të ngushta. 

“Bota sot”: A keni komunikuar me Kosovaren pas ndeshjes?
Naser Asllani:
Po.

”Bota sot”: Cili ka qenë urimi, mesazhi?

Naser Asllani: Si çdo herë, pas çdo ndeshje, iu drejtova: Vajza ime, të uroj sukses dhe të dua.

“Bota sot”: Si e pret finalen  me Kanadanë? 
Naser Asllani
: E pres me duart hapur, si krejt shqiptarët. E dua medaljen e artë olimpike.

“Bota sot”: Kujt ia dedikoni medaljen, pavarësisht a do ta fitojë të artën apo të argjendtën, një dihet, njërën nga medaljet e ka në qafë?

Naser Asllani: Po të kisha mundësinë, do t’ia dëshiroja Kosovës.

“Bota sot”: Si e ndjen veten që vajza juaj luan për Real Madridin?

Naser Asllani: Kënaqësi. Si ta ndjej veten, vet emri i saj, Kosovare Asllani tregon se nga vjen ajo. Ajo është kënaqësia ime më madhe.

“Bota sot”: Për fund?

Naser Asllani: I uroj asaj dhe gjithë sportistëve që janë në olimpiadë, suksese. Lutem të vazhdojmë dhe me Kosovare tjera në të ardhmen. Me kënaqësi i presim fitoret prej tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat