Szoboszalai lë gjurmë që në ndeshjen e parë

Futboll

Szoboszalai lë gjurmë që në ndeshjen e parë

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 11:12
Szoboszalai lë gjurmë që në ndeshjen e parë

Dominik Szoboszalai lë gjurmë që në ndeshjen e parë para tifozëve të Leipzig, pasi ia doli të shënojë dy herë në fitoren me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Stuttgartit dhe bëri që fansat e klubit gjerman të bien menjëherë në dashuri me të.

I kërkuar nga shumë klube europiane, fantazisti 20-vjeçar hungarez u transferua nga Salzburg te Leipzig në janar të këtij viti, por sezonin e kaluar nuk luajti asnjë ndeshje për shkak të një dëmtimi që e mbajti disa muaj larg fushave.

Megjithatë në sfidën e parë para publikut vendas, Szoboszalai nuk zhgënjeu dhe madje mori për dore skuadrën, që po vuante jo pak të zhbllokojë ndeshjen dhe e bëri këtë vetëm me një goditje të bukur nga distanca të hungarezit, i cili i hapi udhë fitores bindëse.

“Jam një lojtar që më pëlqen të provoj golin nga pozicione të ndryshme të fushës. Edhe këtë herë, pashë që kisha hapësirë e gjuajta pa u menduar dy herë. Për fat të mirë topi përfundoi në rrjetë dhe pas atij goli, gjithçka për ne u bë më e lehtë”, deklaroi Szoboszalai.

Fantazisti hungarez debutoi me Leipzig në sfidën e Kupës së Gjermanisë më 7 gusht ndaj Sandhausen dhe më pas u aktivizua edhe në ndeshjen e javës së parë të kampionatit, të cilën “demat” e humbën me rezultatin 1-0 në transfertën ndaj Mainz, megjithatë nuk e fshehu kënaqësinë për reagimin e ekipit ndaj Stuttgartit.

“Pas një humbjeje si ajo ndaj Mainz, që djeg jo pak për mënyrën si erdhi, ky mendoj se ishte reagimi i duhur. Është bukur të prezantohesh para tifozëve me një fitore të tillë, bindëse e me shumë gola. Na pret një sezon i gjatë, por jam optimist që do të bëjmë shumë mirë dhe do të përjetojmë të tjera mbrëmje të bukura si kjo ndaj Stuttgartit”, tha hungarezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat