Kukësi para provës së parë serioze

Futboll

Kukësi para provës së parë serioze

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 13:03
Kukësi para provës së parë serioze

Kukësit nuk ju desh shumë kohë pas një sezoni tranzicioni për t’u kthyer në krye. Ndryshimet në drejtim, në stol, por dhe lojtarë sollën një shkundje të ambientit me verilindorët, që të mësuar gjithmonë me objektiva të rëndësishëm e gjejnë sërish veten në krye të kampionatit.

Që ky vit do të ishte i ndryshëm për Kukësin, u kuptua që në verë dhe deri tani janë i vetmi ekip që ka pikë të plota duke fituar madje me meritë të dyja sfidat ndaj kundërshtarëve. Këtë javë megjithatë përballë tyre do të jetë Laçi, me kurbinasit që pasi provuan shijen e të luftuarit për titull një vit më parë kanë ende uri për diçka të ngjashme në Abissnet Superiore.

Kurbinasit kanë qenë protagonistë të dy prej sfidave më të bukura të këtij fillim kampionati, humbja me Vllazninë dhe barazimi me Dinamon në fund, ndërsa tanimë përballë janë një ekip që kanë rivalitet të plotë si Kukësi.

Për verilindorët ky duket se do të jetë testi i parë i vërtetë si pretendent, ndaj një kundërshtari që kurrë nuk e ka patur të thjeshtë, ndërsa për Laçin ndoshta një pikë kthese edhe pse bardhezinjtë shpesh-herë na kanë mësuar me fillime të ngadalta.

E sigurt është që kësaj të hëne futbollistike në Abissnet Superiore, ky Laçi-Kukësi do t’i japë një shije më të mirë, në një impiant ku fitorja e verilindorëve mungon që prej prillit të 2019-tës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat