Futbollistët kuqezi shkëlqejnë në Europë

Futboll

Futbollistët kuqezi shkëlqejnë në Europë

Më: 17 janar 2022 Në ora: 12:09
Futbollistët kuqezi shkëlqejnë në Europë

Fundjava që sapo lamë pas ka qenë mjaft pozitive për një pjesë të madhe të legjionarëve kuqezi në Europë. Gola, paraqitje mjaft të mira e vlerësime të larta kanë marrë disa prej lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja.

Klaus Gjasula ka qenë pa diskutim lojtari i ndeshjes në sfidën që Darmstadi i tij zhvilloi kundër Karlsruher-it në shtëpi. Mesfushori shqiptar gaboi në minutën e 22-të, teksa i dhuroi një gol kundërshtarëve, por ishte vetë ai që e korigjoi gabimin duke i dhuruar skuadrës së tij golin e barazimit pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë të lojës.

Uebsajti i specializuar për statistika, “Sofascore” e ka vlerësuar me notën 7.5 futbollistin kuqezi, i cili u aktivizua që nga minuta e parë në këtë ndeshje.

Thomas Strakosha ka dhuruar një paraqitje mjaft të mirë, teksa për 90 minuta e ka mbajtur portën e tij të paprekur, në fitoren 3-0 që lacialët siguruan ndaj Sarenitanës. Portieri shqiptar u vlerësua me notën 7.1, teksa në këtë sfidë u aktivizua edhe mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj.

Marash Kumbulla ka zhvilluar një ndeshje të madhe mbrëmjen e djeshme ndaj Cagliari-t. Shtylla e mbrojtjes kuqezi vlerësohet si më i miri i katërshes së mbrojtjes së Romës nga “Sofascore” në notat e dhëna pas ndeshjes, teksa lojtari shqiptar ka notën më të lartë, 7.5. Kumbulla e nisi ndeshjen si titullar dhe luajti për 90 minuta të plota, duke shkëlqyer dhe duke treguar cilësitë e tij në fushën e lojës. Sakaq, edhe Berat Gjimshiti, një tjetër mbrojtës i Kombëtares shqiptare që aktivizohet me Atalantën ka bërë një lojë mjaft të mirë në ndeshjen e zhvilluar ndaj Interit. Legjionari kuqezi, i cili u aktivizua që nga minuta e parë e takimit, mori notën 7.1 nga Sofascore.

Ardian Ismajli, Nedim Bajrami e Kristjan Asllani është treshja shqiptare që luan në radhët e Empolit. Pavarësisht barazimit ndaj Venezia-s, tre kuqezinjtë kanë spikatur me paraqitjet e tyre në këtë ndeshje, duke marrë edhe nota mjaft të mira.

Edhe Keidi Bare e Armando Broja kanë luajtur këtë javë në kampionatet respektive, në La Liga e Premier League, duke e nisur që nga minuta e parë në takimet përkatëse.

Paraqitjet e mira të kuqezinjve në Europë janë një lajm mjaft i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, që ka në muajin mars do të zhvillojë edhe dy miqësore mjaft të rëndësishme, fillimisht ndaj Spanjës më 26 mars në transfertë e tre ditë më vonë ndaj Gjeorgjisë në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat