Skënderbeu në rritje, në shtëpi janë të pathyeshëm

Futboll

Skënderbeu në rritje, në shtëpi janë të pathyeshëm

Më: 17 janar 2022 Në ora: 16:41
Foto ilustrim

Skënderbeu e nisi këtë vit të ri aty ku mbylli vitin 2021, me një barazim pa gola, këtë herë përballë Laçit, një pikë me shumë vlera për korçarët të cilët kanë njohur një rritje graduale në javët e fundit.

Jo vetëm një pikë me rëndësi për vetë objektivat e klubit, por Skëndërbeu gjithashtu i dha fund ecurisë me 5 fitore radhazi skuadrës kurbinase.

Stadiumi Skënderbeu është kthyer në një fortesë të vërtetë për të besuarit e Memellit, pasi në shtëpi këtë sezon kanë grumbulluar 13 pikë nga 16 në total. Sa i përket këtij rendimenti, korçarët renditen në vendin e pestë duke bërë më mirë se Partizani apo Teuta, por edhe më mirë se rivalët direkt, Dinamo, Egnatia dhe Kastrioti.

Tre fitore, 4 barazime, ndërsa e vetmja humbje ka ardhur përballë Dinamos, që deri tani është skuadra e vetme që në këtë sezon ka arritur të largohet me pikët e plota nga Korça në javën e gjashtë.

Skëndërbeu vuan në transfertë, larg shtëpisë dhe këtë e tregojnë shifrat, pasi korçarët kanë marrë vetëm 3 pikë falë 3 barazimeve dhe me pak llogari, nëse skuadra e Memellit do të ruante të njëjtin ritëm edhe jashtë shtëpisë, tani do të flisnim për një skuadër që do të pretendonte Europën.

Pika e kthesës ishte fillimi i muajit nëntor, ku pas humbjes me Laçin në javën e shtatë, që ishte disfata e tretë radhazi në seri, Skëndërbeu ka ndryshuar totalisht profil. Në 9 ndeshjet e fundit të kampionatit, korçarët kanë pësuar vetëm dy humbje, të dyja në transfertë, përballë Vllaznisë dhe Partizanit, ndërsa kanë koleksionuar 13 pikë, me 3 fitore, ndaj Kukësit, Egnatias e Kastriotit dhe katër barazime.

Ambienti dhe pritshmëritë kanë ndryshuar nga fillimi i sezonit dhe tashmë në Korçë janë optimist për të lënë pas zonën e ftohtë të klasifikimit. Prezenca në Kupë bënë që Skëndërbeu të vuaj disi ngjeshjen e kalendarit, por gjithashtu, korçarët shohin përpara sfida shumë të rëndësishme dhe delikate në të njëjtën kohë, pasi në horizont janë Kukësi, Teuta në kupë dhe kampionat, Tirana dhe Partizani, sfida këto që do të jenë një barometër i vërtetë për të parë se sa larg mund të shkojë Skëndërbeu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat