Arbitroi miqësoren Turqi – Itali, Enea Jorgji: Shembull se mund t’ja dalim të përfaqësohemi denjësisht

Futboll

Arbitroi miqësoren Turqi – Itali, Enea Jorgji: Shembull se mund t’ja dalim të përfaqësohemi denjësisht

Më: 31 mars 2022 Në ora: 23:42
Arbitroi miqësoren Turqi – Itali, Enea Jorgji: Shembull se mund t’ja dalim të përfaqësohemi denjësisht

Enea Jorgji është pa diskutim një nga arbitrat më të suksesshëm të futbollit shqiptar. Pas vlerësimit që mori disa kohë më parë nga Komiteti i Arbitrave të UEFA-s, që vendosi ta bëjë Jorgjin pjesë të Kategorisë së Parë, duke i dhënë mundësinë të jetë gjyqtar në ndeshje të rëndësisë së lartë, së fundmi, arbitrit shqiptar iu besua gjykimi i miqësores Itali – Turqi, e zhvilluar dy ditë më parë në Turku Arena, që përfundoi me shifrat 2-3.

Një arritje e madhe kjo për Jorgjin, i cili ia doli me sukses në këtë sfidë të vështirë. Enea Jorgji mban edhe stemën e FIFA-s, ndërsa ka gjykuar edhe ndeshje të tjera të rëndësishme në Europë. Në një prononcim për fshf.org, ai shprehet se arbitrimi i kësaj  miqësoreje ishte mjaft i veçantë, që i ka dhuruar edhe emocione të mëdha. Jorgji thekson se kjo ndeshje nuk ishte e vështirë për t’u menaxhuar, pasi niveli që treguan skuadrat në fushë ishte i lartë. Por nga ana tjetër kjo i ka kërkuar një lexim më të detajuar të lojës. 

“Ishte një ndeshje e veçantë kjo kësaj radhe, pasi përballë Turqisë ishte Italia, kampione Europe në fuqi.

Vetëm për këtë fakt, emocioni ishte i ndryshëm dhe shumë më i madh. Ndeshje ku ekipet Kombëtare janë përballur me njëra-tjetrën kam arbitruar edhe më parë, kualifikuese, në Nations League, por kjo kishte një qasje disi tjetër, pasi edhe niveli i skuadrave ishte me i mire.

E vështirë për t’u menaxhuar? – Në fakt, loja që treguan skuadrat në fushë ma bëri këtë aspekt jo shumë të vështirë, por sigurisht më kërkoi më shumë angazhim, gjë që nuk më ishte kërkuar më parë dhe kjo solli aktivizimin e disa mekanizma apo nje llogjike, siç ishte leximi më i thelle i lojës dhe karakteristikat e lojtareve, detaj ky që në të tilla ndeshje kërkon edhe një përsosmëri më të mirë” – thotë Jorgji për fshf.org.

Arbitri shqiptar tregon se pas ndeshjes ka marrë pafund vlerësime nga të gjithë kolegët, qofshin ata të huaj, por edhe shqiptarë. Paraqitja e tij është vlerësuar edhe nga dy skuadrat dhe zyrtarët e ndeshjes, ndërsa thotë se përmes kësaj paraqitjeje arbitrat shqiptarë po japin sot shembullin e tyre. “Jam i lumtur, pasi pwrsa ndjej, gjithçka shkoi mirë, por edhe skuadrat e zyrtarët mbetën të kënaqur sepse na përshëndetën në fund për punën e bërë. Nga kolegët shqiptarë sigurisht që kam marrë pafund urime, por sigurisht që kam marrë edhe nga kolegët jashtë shumë urime. Kjo do të thotë që fokusi ka qenë i madh në këtë ndeshje dhe mbi të gjitha, kjo paraqitje tregon se jemi të aftë të përfaqësojmë në të tjera nivele. Pra, si ata arbitra që ne ndoshta i shohim si shembuj, sot, pse jo, mund të japim shembullin tonë në fushë, në të tilla nivele dhe jo vetëm” – vijon Jorgji në prononcimin e tij.

Tregohet modest fillimisht kur pyetet nëse ndihet krenar për arritjet e tij, teksa shprehet se ndihet mirë kur nga opinioni dhe të gjithë sportdashësit shihet si arbitri që po gjykon ndeshje me të tilla skuadra.

“Kësaj pyetje e kam pak të vështirë ti përgjigjem, por sigurisht që jam krenar, kjo është mëse normale.

Çfarë më bën edhe më shumë krenar është fakti që sot opinioni, njerëzit, sportdashësit, nuk më shohin më si arbitri që përfaqësonte Shqipërinë deri në një limit të caktuar, por tani kemi kaluar edhe më lart dhe po jap shembullin tim se dimë të përfaqësojmë veten në të tilla nivele dhe jemi të denjë për ta bërë këtë punë në cilësinë e duhur. Sigurisht që kjo kërkon më shumë punë nga ana ime, për t’u rritur kapacitetin profesional” – thotë ai.

Në fund, Enea Jorgji thekson se ka si objektiv të gjykojë sa më shumë ndeshje të këtij niveli si dhe ndeshje në kompeticionin më të rëndëishëm të klubeve në Europë, UEFA Champions League.

“Dua të gjykoj në më shumë ndeshje të tilla dhe të kapim edhe ato kompeticione që deri më tani kanë qenë një tabu. Besoj se disa prej tyre i kemi thyer dhe kjo ndeshje ishte një nga ato sfida ku kemi dalë kokë lartë. Qëllimi është të kem vazhdimësi në Europa League, për të arbitruar më shumë në këtë kompeticion dhe në një të ardhme të afërt apo të largët të shpresoj për në Champions League e më pas të shohim. Puna do tregojë se sa larg do të mund të shkoj!” – përfundon ai për fshf.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat